
Kryeministri Edi Rama bëri me dije gjatë ditës së sotme përmes një interviste se rreth 3 mijë afganë do të jetë numri i refugjatëve që vendi ynë pritet të strehojë pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.
Lidhur me këtë situatë dhe strehimin e tyre në vendin tonë, eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, nga studion e lajmeve të MCN TV nuk e përjashtoi rriskun e një rreziku të mundshëm që mes tyre të ketë dhe të infiltruar edhe pse siç ai u shpreh shkalla e rrezikshmërisë është e ulët.
Ndërsa i pyetur nëse tërheqja nga Afganistani i SHBA-ve ishte një dështim, ai sqaroi se duke qenë se palët kishin rreth katër vjet që kishin nisur negociatat mes tyre ky nuk mund të quhet dështim më shumë se një plan i negociuar.
Teorikisht nuk mund ta përjashtojmë një rrisk rreziku. Përderisa këta persona nuk kanë mundur të kalojnë menjëherë filtrin e ambasadës amerikane kjo do të thotë se ka vend për shqetësim, po ashtu dhe nga ana jonë që do ti presim. Rreziku ekziston, edhe pse shkalla mund të jetë e ulët, por ekziston sepse mund të ketë të infiltruar mes tyre duke mos harruar që personat që vijnë këtej janë bashkëpunues të SHBA dhe nuk shihen me sy të mirë nga talebanët. Rreziku është për tu pasur parasysh.
Intervista e plotë
1-Z. Muzhaqi e nisim me shpalljen sot nga talebanet për Emiratin Islamik të Afganistanit. Çfarë do të thotë kjo për Afganistanin, amerikanët dhe NATO-n?
Janë një popull multietnik dhe janë popull me 30 milionë banore si htet dhe përgjithësisht mënyra funksionale e tyre është mbi bazën e fiseve të cilat përcaktojnë se si do të qeverisen. Persa i përket Afganistanit është një mënyrë që ka zgjedhur për ti dhënë peshën shtetit të ri. Normalisht me një grupim me histori fetare është e pritshme të vendosen edhe termat islamikë të cilat priteshin. Do të vendosin një rend mbi bazat e rendit islamik fetar. Sa për SHBA dhe NATO ky detaj nuk besoj se vlen, e rëndësishme është se çfarë do të prodhohet nga ky riorganizim i Afganistanit, do prodhohet stabilitet apo do të përpiqen të krijojnë në një moment të caktuar rryma, fryma dhe tërheqje në skenën ndërkombëtare. Sa i përket Azisë së mesme dihet që ka pasuri të mëdha nëntokësore, ai gjithsesi është shtet kufitar me 3 apo 4 vende që kanë bombën bërthamore superfuqi që ndikojnë në fuqizimin e ekonomisë botërore.
2-A mendoni se ishte një dështim i SHBA tërheqja nga Afganistani dhe veçanërisht një plan paraprak i tërheqjes?
Ajo që di unë është se SHBA të inkuadruara në NATO pavarësisht se ato janë shteti më i fuqishëm në NATO kanë të paktën 4 vjet që kanë hyrë në bisedime me talebanët për të sjellë një ndryshim për të cilën presim dhe në vazhdim. Nëse kjo do kishte ndodhur si revoltë do thosha se është dështim, por duke qenë i negociuar ky është një plan i negociuar por ndoshta ka detaje siç është plani i tërheqjes nga pala amerikane duhej bërë pak më herët dhe më i organizuar.
3-Si e shihni vendimin e qeverisë për të strehuar se paku 3 mijë afganë? Si mendoni se po menaxhohet pritja e tyre?
Ne jemi pjesë e NATOs prej disa vitesh dhe normalisht kemi detyrime. Padyshim që jemi të vetëdijshëm për peshën tonë këtë strukturë. Jemi peshë e lehtë, nuk jemi aktorët kryesorë aty, por ne do përpiqemi dhe do vazhdojmë për hir të interesave që të luajmë pjesën tonë. Dhe kjo është pikërisht pjesa jonë të ndihmojmë me aq sa mundemi. Sa i përket menaxhimit të kësaj situate unë kam vend për pakënaqësi, ku përveç elementit që nisur nga rrethanat për të pritur refugjatë, një komunikim më i qartë për opinion publik do ishte shumë i mirëpritur.
4-A mendoni se pas këtij vendimi Shqipëria është e ekspozuar përballë ndonjë rreziku?
Teorikisht nuk mund ta përjashtojmë një rrisk të tillë. Përderisa këta persona nuk kanë mundur të kalojnë menjëherë filtrin e ambasadës amerikane kjo do të thotë se ka vend për shqetësim, po ashtu dhe nga ana jonë që do ti presim. Le të themi se 1 mijë afganë do ishin më të menaxhueshëm se 3 mijë, por gjithsesi besoj se do kemi bashkëpunim. Rreziku ekziston sepse mund të ketë të infiltruar mes tyre duke mos harruar që personat që vijnë këtej janë bashkëpunues të SHBA dhe nuk shihen me sy të mirë nga talebanët. Rreziku është për tu pasur parasysh, do kisha pasur dëshirë që këto 3 mijë vetë të mos rrinin 4 muaj bashkë në Shqipëri, por të filtroheshin sa më shpejt nga administrata amerikane për ti tërhequr. Njëkohësisht dhe pozicionet gjeografike dhe urbane që këta persona do akomodohen kanë një rëndësi që ata të jenë në ambiente sa më të përqendruara dhe disi të distancuar nga zonat urbane. Këta nuk pritet të kenë një vetorganizim si muhaxhedinët. Kjo e shton më tepër mundësinë për të qenë më të vëmendshëm dhe organizuar me ta. 3 mijë vetë shpresoj të jetë e menaxhueshme.



