Një djalë dhe një vajzë të kapur për dore në mes të një rruge të ngarkuar me trafik. Ajo pa shami, fytyra e saj e zhytur në të tijën në një puthje që po bën revolucion në Iran.
Puthja e Shirazit”, është imazhi i bërë viral në rrjetet sociale dhe që flet për dëshirën për liri të të rinjve iranianë, protagonistët kryesorë të protestave kundër qeverisë në Teheran për vdekjen e Mahsa Amini, 22-vjeçares me origjinë kurde, e cila vdiq dy muaj më parë pasi u arrestua për mosmbajtjen e shamisë.
Sipas asaj që po qarkullon në rrjetet sociale, fotografia autori i së cilës nuk dihet, është bërë mbrëmjen e së martës në një rrugë të frekuentuar në Shiraz, ku njerëzit dolën në rrugë në përgjigje të thirrjeve të aktivistëve për të përkujtuar përvjetorin e më shumë se 1500 personave të vdekur gjatë protestave të 2019-ës, të njohura si “Nëntori i përgjakshëm”.
Fotografia është kthyer tashmë në simbolin e revolucionit në vend, ku edhe një puthje në publik është “kundër moralit” dhe e ndaluar. Një mënyrë për të “festuar jetën”, shkruan dikush në Twitter, ndërsa në Iran vazhdon represioni dhe njerëzit vdesin për të kërkuar liri dhe të drejta.



