
Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri për çështjen e inceneratorëve. Në dokumentin i firmosur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gjiknuri ftohet që të japë shpjegime për atë që e djathta e cilëson skandal, për impiantet në Elbasan,
Fier dhe në Tiranë. Duke konsideruar shqetësues faktin që qeveria nuk ka dhënë asnjë reagim për përputhshmërinë ligjore dhe nuk i është përgjigjur asnjë prej shkresave që PD ka dërguar zyrtarisht, Spaho gjen më vend interpelancën për sqarimin.
“Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për heshtjen e pashpjegueshme dhe të paargumentuar të autoriteteve përgjegjëse. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit së një vendi kandidat për në Bashkimin Europian, që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik dhe mbi të gjitha të bëjë transparente për kuvendin dhe publikun kushtet në të cilat janë zhvilluar procedurat dhe si janë lidhur e termat e kontrateve”, shkruhet ndër të tjera në kërkesën e PD-së.



