Një tjetër rast i dyshuar helmimi ushqimor është regjistruar në Akademinë e Sigurisë në Sauk. Rreth 30 kursantë kanë shfaqur simptoma të forta gastrointestinale pas konsumimit të ushqimit të servirur nga kompania e kateringut SORI-AL, e njëjta kompani që u vu në qendër të vëmendjes edhe në muajin maj, pas helmimit të dhjetëra studentëve të tjerë.
Sipas informacioneve paraprake, kursantët kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke gjatë orëve të natës. Ata janë transportuar në grupe drejt shërbimeve spitalore dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Duke folur në një lidhje direkte për MCN Live, gazetari Besmir Pula tha se bëhet fjalë për një situatë që ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë ushqimore në një institucion shtetëror dhe mbi mënyrën se si janë trajtuar shkeljet e konstatuara më herët.
Përsëritet sërish historia në Akademinë e Sigurisë, ku policët e ardhshëm janë përballur me një tjetër episod helmimi. Dyshohet se numri i të prekurve është mbi 30 studentë, megjithëse shifra e saktë pritet të konfirmohet në vijim. Ajo që e bën më shqetësuese situatën është fakti se ushqimi furnizohet nga e njëjta kompani kateringu, SORI-AL, e cila edhe në muajin maj u përfshi në një rast të ngjashëm ku u helmuan 52 studentë.
Ai kujtoi se pas ngjarjes së parë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte vendosur masa administrative ndaj kompanisë.
Në atë kohë, AKU vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh ndaj kompanisë për shkelje të rregullave në përgatitjen e ushqimit. Megjithatë, pas analizave dhe procedurave të mëvonshme, vendimi fillestar u rrëzua dhe kompanisë iu lejua të vijonte aktivitetin normalisht. Sot, pa kaluar as dy muaj, kemi sërish një rast të dyshuar helmimi me dhjetëra studentë të prekur”, deklaroi Pula.
Sipas tij, simptomat kanë nisur të shfaqen pas konsumimit të darkës së të enjtes, ndërsa kursantët janë paraqitur në urgjencë për të marrë trajtim mjekësor.
Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar as nga Akademia e Sigurisë dhe as nga kompania SORI-AL. Informacionet po sigurohen kryesisht përmes burimeve. Kjo ngjarje ngre një pyetje të rëndësishme: si është e mundur që në një institucion shtetëror, brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore, të përsëritet i njëjti problem?
Gazetari shtoi se aktualisht nuk mund të përcaktohet me siguri produkti që ka shkaktuar helmimin, pasi kjo do të varet nga analizat laboratorike dhe hetimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Kursantët kanë konsumuar ushqime të ndryshme, duke përfshirë fasule, salçiçe dhe produkte bulmeti si kosi. Për të përcaktuar burimin e saktë të helmimit do të duhet të priten rezultatet e analizave, të cilat kërkojnë disa ditë. Vetëm pas tyre AKU mund të japë një përfundim zyrtar mbi shkakun e ngjarjes.
Ndërkohë, rasti ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e kontrollit të sigurisë ushqimore dhe efektivitetin e masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse.
Vihet sërish në pikëpyetje puna e institucioneve mbikëqyrëse. Në një rast pezullohet aktiviteti i një kompanie, ndërsa pak kohë më vonë hiqet pezullimi dhe aktiviteti vijon normalisht. Sot kemi një tjetër episod që kërkon përgjigje dhe transparencë nga autoritetet.



