
Mijëra njerëz dolën në rrugë sot në Porto Riko kundër guvernatorit Ricardo Rossello për të kërkuar dorëheqjen e tij. Një kërkesë kjo e shkaktuar nga përhapja e mesazheve që ai ka shkëmbyer me aleatët e tij në një bisedë të koduar, duke fyer femrat, duke sulmuar kundërshtarët dhe duke poshtëruar votuesit, përfshirë viktimat e stuhisë Maria, ndërsa akuzat për korrupsion sa vijnë e rriten kundër administratës së tij.
Demonstrata, e cila është e dhjeta në radhë, ngjan të jetë një nga më të mëdhatë që është parë ndonjëherë në një territor amerikan, pas njoftimit të Rossello-s se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të largohet nga udhëheqja e partisë. Premtime, që e nxitën edhe më shumë protestën, së cilës iu bashkua edhe këngëtari i njohur portorikan Ricky Martin. /Ansa/



