Sali Berisha ka akuzuar kreun e bashkisë së kryeqytetit se do të kalojë në mbledhjen e këshillit vendimin për 600 milionë lekëve të tjera për kompaninë e inceneratorit të Tiranës.
Ai tha se qytetarët duhet ta dinë se këto 6 milionë euro, ku i ka marrë, ndwrsa thekson se 430 milionë lekë i ka marrë nga arsimi i fëmijëve.
Sipas tij, Veliaj është falsifikatori monstruoz, ka paguar në emër të Këshillit Bashkiak për të paguar një ndërmarrje që nuk ekzistonte.
Nxin çdo ditë e më shumë monumenti i turpit i amnistisë së Erion Veliajt. Sot ai kalon në këshill bashkiak vendimin për 600 milionë të tjera për kompaninë e tij, me pronarë në letra Zoto dhe Mërtiri. 6 milionë euro kalon ky mafioz, duke zhvatur qytetarët shqiptarë me tarifën 29 euro toni, kur kontrata parashikon 11 euro. Veliaj, çdo ditë që kalon, është një aktakuzë e rëndë për SKAPin e partisë dhe kontrollin e tij nga Edi Rama.
Qytetarët duhet ta dinë se këto 6 milionë euro, ku i ka marrë do thoni ju? 430 milionë lekë i ka marrë nga arsimi i fëmijëve, i ka marrë nga zëri i arsimit në buxhet. I ka hequr. 130 milionë lekë ka hequr nga fondi i emergjencës. Por këto do presësh kur Skapistët marrin përsipër krimin e shëmtuar të amnistimit të tij. Pra, merr fondin e emergjencës dhe e çon te sipërmarrja e tij, merr fondin e vogëlushëve, dhe e çon te sipërmarrja e tij.
Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve për ta kapur për zverku dhe për ta çuar aty ku e ka vendin, te dera e burgut. Sepse nëse presim për SKAPin, ju garantoj se ai do bëhet edhe kryeministër i Shqipërisë në mendjen e tij. Erion Veliaj, i amnistuari i SKAPit, heq nga fondet e arsimit, 430 milionë lekë dhe i inkason në sipërmarrjen e tij. Kjo është një histori kriminale, që duhet të marrë fund.
Më tej Berisha ka komentuar edhe megaoperacionin e fundit për të cilin u shpreh se Balla liroi shefin e komisariatit të Librazhdit, gjë që sipas tij tregon se çfarë operacioni bllof ishte.
Dy fjalë për të ashtuquajturin operacion të fundit. Së pari, dënoj lirimin nga Taulant Balla të shoferit të shefit të komisariatit të Librazhdit, i cili u arrestua si trafikant droge bashkë me kushëririn e tij. Policia në komunikatën e vet nuk njoftoi se është shofer i shefit të komisariatit Skuraj, se drogën ai e bënte për llogari të shefit të komisariatit. Kushëriri i tij ishte po ashtu punëtor që punonte për Skurajn. Lirimi i tyre tregon se çfarë bllof-operaiconi është ky. Nuk po ndalem te fakti tjetër se asnjë nga baronët e drogës nuk janë cenuar aspak.
Nuk po ndalem aspak te fakti se ata 200 mund të jenë 15. Nuk janë të zotë të shpallin listën e emrave të arrestuar, siç e kanë detyrim. Nuk e shpallin dot se është listë e formuluar në zyrën e Taulant Ballës për të mashtruar popullatën dhe komunitetin ndërkombëtar. Por opozita është këtu për të bërë transparencën dhe për të denoncuar ata.



