
Kapelja borsalino ka një lidhje të ngushtë me yjet e Hollivudit por edhe të kinemasë europiane. E kemi parë në kokën e Jean-Paul Belmondo në filmin “Deri në frymën e fundit” apo në rolet që kanë luajtur Marcello Mastroianni dhe Alain Delon.
Ndër imazhet e paharrueshme mbeten ato të Humphrey Bogart dhe Ingrid Bergman në filmin “Casablanca”. Këto kapele në fakt janë prodhuar në një fabrikë në Alessandria, Itali. E themeluar në vitin 1857, kjo kompani u bë e njohur në të gjithë botën. Por 160 vjet pas themelimit dhe suksesit, ajo ka falimentuar.
Ky lloj kapeleje mbetet pjesë e memories kolektive jo vetëm për shkak të yjeve që e mbajtën, por edhe për faktin se ishte një produkt artizanal, për të cilin duheshin javë të tëra pune.
Gjykata e Aleksandrisë ka refuzuar kërkesën për marrëveshje të sipërmarrësit zviceran, Philippe Camperio, i cili drejton kompaninë. Camperio këmbëngul në anulimin e falimentit përsa i përket aktivitetit të prodhimit të këtyre kapelave në Alessandria.
Njëqind e tridhjetë punëtorët e fabrikës thonë se kanë porosi, por nuk mund të prodhojnë për shkak të vendimit të gjykatës.
Përveçse janë pa punë, ata thonë se po i jepet fund një prej trashëgimive të shkëlqyera të manifakturave italiane. / ANSA /



