Dega e “Raiffeisen Bank” në zonën e Komunës së Parisit ka rënë pre e një grabitjeje paraditen e djeshme në Tiranë. Një person i maskuar ka hyrë në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e një arme zjarri, ka arritur të marrë një shumë të konsiderueshme parash, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur. Deri në këto momente, autori nuk është identifikuar dhe as nuk është arrestuar nga uniformat blu.
Gazetari Besmir Pula, për MCN Live, ka zbardhur detaje të reja nga dinamika e ngjarjes dhe ecuria e hetimeve të grupit operacional. Hetuesit janë duke rindërtuar itinerarin e autorit, ndërsa po verifikohet çdo dëshmi e mundshme e personave që ndodheshin pranë vendngjarjes.
Jam interesuar te policia, te grupi hetimor që po kryen hetimet për ngjarjen, dhe është komunikuar që janë marrë në pyetje rreth 15 persona që kanë dijeni ndoshta për autorin, duke përfshirë punonjës të bankës dhe të bizneseve aty pranë. Janë bërë dhe kontrolle banesash, pasi ende nuk është identifikuar personi i grabitjes. Të paktën është raportuar një shume prej 50-60 mijë eurosh, por mund të jetë dhe pak më pak sepse nuk ka dalë ende procesverbali zyrtar i bankës se sa ka qenë shuma e saktë. Hetuesit ende nuk e kanë ekzakt shumën, ndërsa paratë kanë qenë të monedhave të ndryshme, kryesisht lekë dhe euro. Mendoj se nuk i është dashur kohë për të grabitur, në vetëm pak sekonda ka kryer grabitjen duke u larguar me monopatinë më pas drejt stadiumit ‘Selman Stërmasi’. Siç duket, ky mjet, edhe pse në dukje i thjeshtë, e bën të vështirë identifikimin e tij nga policia. Sipas grupit hetimor dhe sipas një analize të bërë, personat që kryejnë vjedhje banke, siç ka ndodhur edhe më përpara te Fibank apo OTP, personat që kanë hyrë për të vjedhur e dinë shumë mirë se ku janë paratë dhe madje mund të them se i kanë marrë masat paraprake se ku do të hyjnë e ku do të largohen. Nuk di të them nëse ka informacion nga brenda, por deri tani nuk ka asnjë informacion që ka pasur bashkëpunim nga brenda bankës. Janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë për të zbuluar itinerarin e plotë të grabitësit.
