
Hungaria nuk do të lejojë asnjë tubim në mbështetje të organizatave terroriste, tha kryeministri hungarez Viktor Orbán në radion publike mëngjesin e sotëm.
Ai shtoi se të gjithë qytetarët hungarezë duhet të ndihen të sigurt, pavarësisht fesë dhe origjinës.
"Është tronditëse që ka grumbullime të atyre që mbështesin terroristët në të gjithë Evropën," tha Orbán, sipas Reuters.
Ai shtoi se ka pasur "përpjekje" të tilla edhe në Hungari, por se vendi i tij nuk do të lejojë tubime në mbështetje të "organizatave terroriste", sepse kjo do të përfaqësonte një kërcënim nga terrorizmi.
Ai tha gjithashtu se pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë dhe "sulmi terrorist në Izrael" treguan se kjo është një "epokë e rrezikshme", por theksoi se Hungaria do të mbrojë të gjithë qytetarët e saj.
"Të gjithë janë shtetas të Hungarisë, madje edhe ata që kanë pikëpamje të ndryshme politike. Shteti hungarez duhet t'i mbrojë ata. Nuk duhet lejuar që qytetarët e Hungarisë të ndihen të pasigurt për shkak të origjinës apo fesë së tyre. Ky është një vend i sigurt", tha Orbán.



