Avokatja Alesia Balliu, deklaron se do të garojë përballë Sali Berishës në zgjedhjet për kryetare të Partisë Demokratike, duke e quajtur kryedemokratin si pengesën kryesore të partisë.
Duke folur për “MCN Informacion” ajo u shpreh se kandidimi i saj vjen si mesazh për rinovimin e Partisë Demokratike.
Sali Berisha pengesa më e madhe e PD, ky ekip është ekip humbës, nuk mund ta sjellë më PD në fitore. Rikandidimi i tij dje ka qenë një lajm i keq për gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët. I vetmi që ka gëzuar ka qenë Edi Rama.
Ne kemi parë se si Berisha po shkel statutin e PD, “nenin Basha” i cili thotë se kryetari që humb zgjedhjet nuk duhet të garojë. As mosha biologjike nuk e lejon Sali Berishën dhe ky është një disavantazh tjetër. Një tjetër disavantazh është lufta që ka me institucionet e drejtësisë, me SPAK.
Partia Demokratike duhet të mobilizojë qytetarët. Nuk duhet të ishim duke u bërë qesharakë me protesta. Institucionet e drejtësisë që ai i sulmon por i sulmon dhe Rama nga ana tjetër, por fatmirësisht ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Partia Demokratike duhet të hapet që kjo parti të jetë fituese. Do shpall kandidaturën përballë Berishës, jo se jam kundër Berishës si individ, duhet të ecë përpara brezi i ri dhe njerëz që nuk janë të korruptuar.
Kandidimi im vjen si mesazh për rinovimin e PD, Berisha duhet ta hapte PD për të rinjtë dhe të rejat dhe jo për të emëruarit e kryetarit, gjithë këtë luftë e bëj që PD të jetë fituese.



