Hoteli Jugosllavija në Beograd, simbol i epokës së real socializmit të Josip Broz Titos dhe skenë e ngjarjeve që formësuan historinë e vendit, deri në lindjen e Serbisë, përfundon në ankand për rreth 27 milionë euro.
I ndërtuar në vitin 1969, ai u konsiderua si një nga hotelet më luksoze dhe më të bukur në botë, ndër 5 më të mëdhenjtë në Evropë, falë pamjes panoramike të Danubit dhe llambadarit më të madh Swarovski në planet (deri në vitin 2010) i përbërë nga 40.000 kristale.
E kaluara e tij legjendare, e përbërë nga samite politike ndërkombëtare dhe festa të mëdha, i dha atij krijimin e një dokumentari, “Hotel Jugoslavija”, nga regjisori zviceran Nicolas Wagnieres, i vlerësuar me çmimin “Ariu i Artë” në Festivalin e Filmit në Berlin në 2018.
Por historia ndryshon në ditët e sotme, Jugoslavija është objekt i interesit të agjencisë serbe për mbikëqyrjen e falimentimeve dhe sytë janë përqendruar te “Danube Riverside”, kompania, ish-Alpe Adria Hotels, e cila kishte fituar hotelin në vitin 2006 dhe kishte premtuar pa sukses, të rifillonte.
Që atëherë, me kalimin e viteve ai është shndërruar në një hotel të thjeshtë me 3 yje, me një stil arkitekturor sovjetik, me një restorant meksikan me çmim fiks, një restorant me kuzhinë tradicionale serbe dhe një kazino të klasit të dytë.
Nuk është e vështirë për të gjetur dhoma me tarifa “low cost” ndërmjet 40 dhe 50 euro për natë, duke përfshirë dhe mëngjesin.
Duket pothuajse e pamundur që të njëjtat dhoma, në dekadat e shekullit të kaluar, të strehonin mbretër, mbretëresha, krerë shtetesh dhe yje ndërkombëtarë që kur Presidenti Tito e kishte përfshirë hotelin në protokollin e tij zyrtar.
Nga Elizabeta II, e cila mblodhi përfaqësuesit diplomatikë të Commonwealth në dhomat e hotelit luksoz, te Muammar Gaddafi, nga Neil Armstrong dhe te Tina Turner.
Por edhe presidentët e SHBA Richard Nixon dhe Jimmy Carter dhe astronautët e Apollo 11, të cilët e vizituan atë në tetor 1969, viti i hapjes së tij, kur u pritën në Jugosllavi si heronj pas uljes në Hënë.
Në vitin 1972, mbretëresha Juliana e Holandës dhe burri i saj Bernhard organizuan një pritje për nder të Titos, mbretëresha e përshkroi hotelin si “mbresëlënës dhe magjepsës”.
Edhe pse punimet e ndërtimit kishin filluar në vitin ‘47 bazuar në projektin e tre arkitektëve të shkollës moderniste të Zagrebit, në ‘48, kur Tito u nda me Stalinin, puna u ndal.
Bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në maj 1999 goditën dhe dëmtuan ndërtesën, duke e bërë atë të pabanueshme.
Krahu perëndimor është dëmtuar rëndë, ndërsa aneksi dhe krahu verior janë shembur plotësisht. Rikonstruksioni filloi në tetor ‘99. Vetëm disa pjesë u rinovuan plotësisht, ndërsa pjesët e tjera u riparuan vetëm sa për të shmangur shembjen e mëtejshme.
Më 31 dhjetor të po këtij viti, me rastin e festës së ndërrimit të viteve, hoteli u rihap.
Nga viti 2006, viti që duhej të shënonte rilindjen e tij, e deri më sot, ka pasur disa mbyllje dhe rihapje për publikun, por atmosfera e pompozitetit, luksit dhe institucionalitetit ka humbur gradualisht.
Në vitin 2011 u miratuan planet e modifikimit strukturor dhe një vit më pas pronarët shpallën rihapjen për vitin 2015.
Në vitin 2013 disa pjesë të hotelit u hapën për herë të parë pas shtatë vitesh por jo për mysafirët, ndërsa disa kate u morën me qira si zyra.
Duke shfletuar internetin është e lehtë të hasësh komente që e përshkruajnë kompleksin e akomodimit si “thjesht të përshtatshëm”, ndërsa dhomat, të njëjtat në të cilat flinin mbretërit dhe mbretëreshat, sot nuk janë asgjë më shumë se të rrënuara dhe me erë të keqe.



