
Ndërsa zhvillimet në kampin blu prej më shumë se dy muajsh kanë në fokus përplasjen Basha-Berisha, ditën e sotme edhe presidenti Ilir Meta bëri një deklaratë të fortë ndaj kryetarit të PD, duke thënë se ky i fundit iu lut me lot në sy që të anulonte zgjedhjet lokale të 30 qershor 2019.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, e ftuar në studion e MCN TV ishte ish-deputetja Mimoza Hadarmataj e cila i është bashkuar ish-kryeministrit Sali Berisha në foltoren e tij në Kukës.
Hajdarmataj tha se arsyeja pse iu bashkua Berishës është pasi ajo ka përfaqësuar qytetin e Kukësit dhe se cdo kush duhet të jetë me bazën.
Ndërkohë lidhur me firmat për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD, Hajdarmataj tha se avash avash janë duke shkuar në 5000.
Intervista e plotë:
Ish-deputetja, dhe aktualisht anëtare e këshillit kombëtar të PD Mimoza Hajdarmataj, ka qënë një prej mbështetësve të zotit Berisha duke iu bashkuar foltoreve të tij, asaj të zhvilluar në qytetin e Kukësit, por jo vetëm edhe asaj që Berisha zhvilloi vetëm një ditë më parë me gratë demokrate. Zonja Hajdarmataj pse keni vendosur t’i bashkoheni nismës së ish-kryetarit Berisha?
Në fakt që nga 2007 që kur kam dalë nga parlamenti nuk mbaj asnjë pozicion, por lëvizjes dhe foltores i jam bashkuar asaj të Kukësit si ish përfaqësuese e këtij qyteti. Me bindjen se çdo kush duhet të jetë te baza, aty ku është shumica. I jam bashkuar dhe lëvizjes së Lidhjes së Gruar pasi është një forum i rëndësishëm.
Zoti Basha ka akuzuar Berishën se po tenton të kthejë partinë demokratike kundër SHBA-ve.
Më duket teza më e pandershme, pasi ata që ndjekin PD vetëm ata nuk mund të akuzohen si antiamerikan.
Ka qënë po zoti Berisha i cili ka lënë të hapur mundësinë jo vetëm të rikthimit në krye të PD-së, por edhe si kryeministër? Ju do ishit në mbështetje të këtij skenari, apo mendoni se duhet hapur një garë e gjerë në PD, për kryetarin?
Duhet të hapet një garë dhe ne këtë po kërkojmë. Kemi një kryesi pas Bashës dhe 60% është ilegjitime. Nëse lejohet lideri të vendosë veton, atëherë kjo nuk duhet më PD. Hapja e PD është ajo që po shpaloset në foltoret dhe e pres një garë të tillë.
I druheni një përjashtimi nga partia demokratike, sikundër zoti Basha ka lënë të kuptohet për ata që shkelin vendimet e kryesisë?
Unë jam firmëtare e themelimit të PD, të jesh anëtare e PD nuk besoj që ..nuk janë përjashtuar ata që kanë ikur dhe ardhur kështu që këto janë veprime të pazgjuara. Po thuhet të përjashtohen 5000 veta që kanë firmosur.
Zoti Basha shprehet i bindur se nuk janë siguruar firmat e nevojshme për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD. Ju jeni në komunikim me demokratë por edhe me mbështetës të tjerë të Berishës. Janë 4200 firmat?
Prej disa ditësh, nuk po vihet më në dyshim pasi është parë dhe nga media. 4200 firmat janë, dhe di që avash avash po shkojnë drejt 5000.



