
Një prezantues lajmesh në Zambia humbi qetësinë e tij gjatë transmetimit duke bërë një kërkesë publike ndaj pronarëve për tu paguar.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje kur Kabinda Kalimina, i cili është spikeri i lajmeve për Zambian KBN TV, pasi bëri një përmbledhje të lajmeve kryesore doli nga skenari dhe kërkoi pagën e tij dhe të kolegëve.
“Jashtë lajmeve, zonja dhe zotërinj, ne jemi qënie njerëzore. Ne duhet të paguhemi. Fatkeqësisht, në KBN nuk jemi paguar. Njerëzit këtu nuk janë paguar, Sharon dhe të gjithë të tjerë, duke u përfshirë dhe unë. Ne duhet të paguhemi”, tha Kalimina në një video e cila u bë virale në të gjitha rrjetet sociale.
Pas deklaratës së Kalimina, KBN TV në një deklaratë tha se ishte e tronditur nga veprimi i spikerit dhe e etiketoi si “sjelle të një të dehuri”.
Televizioni gjithashtu shpjegoi se Kalimina është një prezantues me kohë të pjesshme.
Sipas deklaratës së nënshkruar nga Kennedy Mambwe, pronari dhe shefi ekzekutiv i KBN TV, ekziston një “procedurë ankesash” ku stafi mund të paraqesë ankesat e tyre.
Sidoqoftë nuk deklaroi nëse e kishte paguar apo jo stafin.
“Si KBN TV, ne jemi të tmerruar me sjelljen e një të dehuri të prezantuesit e cila tashmë është bërë virale në rrejtët sociale.
Si një stacion i ri televiziv ne punojmë me një ekip shumë të talentuar dhe profesional, me një karakter fisnik dhe u detyrohemi suksesit të transmetimit të pandërprerë për dy vitet fundit burrave dhe grave të tillë.
Si çdo institucion tjetër ne kemi një procedurë ankesash ku i gjithë stafi mund të shprehë pakënaqësitë.
Ndaj sjellja e mbrëmshme e Kabina Kalimina është jashtë karakterit që përfaqëson televizioni ynë.
Ne dënojmë me forcë atë sjellje të neveritshme dhe nxisim publikun që ta trajtojnë me përbuzje ashtu siç meriton.”
Gjithashtu në deklaratë thuhej se çështja po hetohej dhe se kushdo që kishte ndihmuar Kalimina për “lojën e tij” do të përballej me masa disiplinore.
“Ne jemi duke hetuar për të zbuluar se kush e ndihmoi prezantuesin me kohë të pjesshme dhe të dehur dhe cilido qoftë do të marrë masën disiplinore që meriton.”



