
Këngëtari dhe personazhi i njohur i formatit “Big Brother Vip 3” Luiz Ejlli është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier për falsifikim dokumentesh.
Ai akuzohet se gjatë kohës që ushtronte profesionin e noterit ka falsifikuar dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive me prejardhje nga aktiviteti kriminal të shtetasit me iniciale F. A.
Ndërsa ky i fundit është dënuar me 18 muaj burg. Historia daton në vitin 2021, kohë kur Prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A., si të pajustifikuara me burime të ligjshme.
Vlen për t'u theksuar se vendimi për dënimet nuk konsiderohet i formës së prerë.
Në njoftimin e organit të akuzës thuhet:
“Deklarat noteriale e hartuar nga i pandehuri L.E., ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit. U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme.
Konkretisht, i pandehuri L.E, megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, në bashkëpunim me të pandehurin F.A., kanë krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta, dhe më pas i pandehuri F.A., në datën 25.02.2022, e ka dorëzuar këtë deklaratë noteriale në ish-Prokurorinë Lushnjë”.
Hetimi
Kujtojmë që çështja është ndjekur nga emisioni “Fact Check” që në puntatën e 8 korrikut 2023 do të bënte me dije marrjen zyrtarisht si të pandehur të Ejllit. Historia daton në vitin 2021 aty ku prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A sit ë pajustifikuara me burime të ligjshme.
Sekuestro e kërkuara asokohe nga prokuroria e Lushnjës do të pranohej nga gjykata më 28 nëntor të vitit 2021. Pak muaj pas kësaj sekuestro shtetasi F.A i cili po ashtu është i bashkëpandehur me Ejllin ka depozituar një deklaratë noteriale bërë tek Noteri Luiz Ejlli. Më 25 shkurt 2022 shtetasi F.A paraqet në prokurori deklaratën noteriale e cila sipas tij ishte bërë tek zyra noteriale e Luiz Ejllit më datë 16 dhjetor 2015 dhe mbante të dhënat si në faksimile “nr 663 Rep, Nr 213 Kol datë 16.12.2015.
Kjo deklaratë sipas prokurorisë kishte përmbajtjen e marrjes së një huaje në dy këste nga 2008-2015 prej 151 mijë euro dhe 2011-2015 prej 60 mijë euro, para të cilat bashkëshortja e shtetasit F.A i kish marrë për të shlyer një kredi. E pikërisht kjo deklaratë s’ishte gjendur në arkivat e ministrisë së drejtësisë në përgjigje të kërkesave për informacion, kërkesa në kuadër të hetimit pasuror të kryer nga Prokuroria e Lushnjës.
Kaq ka mjaftuar që prokuroria të krijojë dyshime se mund të ketë një shkelje ligjore dhe ka thelluar hetimet duke zbuluar zyrën noteriale të Luiz Ejllit e po ashtu dhe veprimet e bëra disa vite më parë. Prokuroria ka kërkuar në arkivat e noterit Luiz Ejlli të dhëna për këtë deklaratë noteriale dhe ajo rezulton si deklaratë por në emër të një tjetër shtetasi dhe aspak bashkëshortes së shtetasit F.A për të cilin hetimi pasurorë ishte finalizuar me sekuestro.
Mospërputhja e këtyre deklaratave shtyhu prokurorinë të hap regjistrin e ish noterit Ejlli dhe aty ka zbuluar se as para datë 16.12.2015 e as pas kësaj date shtetasi F.A s’kishte kryer asnjëherë një veprim noterial tek zyra e Luizit. Në konkluzion të këtij hetimi dhe veprimeve noteriale të verifikuara hap pas hapi, prokuroria thotë se kemi të bëjmë me një falsifikim intelektual ku s’është falsifikuar shkrimi apo vula, por përmbajtja e një dokumenti është ndryshuar.
Organi i akuzës do të shprehej se: “Rezulton e Provuar se shtetasi F.A e ka kryer veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve, në formën e falsifikimit intelektual në bashkëpunim edhe me ish-noterin Luiz Ejlli, pasi ky i fundit thotë prokuroria i ka patur vulat deri më datë 16 prill 2022 kur i janë marrë në dorëzim dhe janë nxjerr jashtë përdorimit me komision të ngritur nga Ministria e Drejtësisë.
Falsifikim Intelektual sipas prokurorisë provat pasi “Duke qenë se Shkrimi e nënshkrimi i tij dhe gjurmët e vulave në këtë dokument (Deklaratë Noteriale) janë të njëjta me ato që gjenden me aktet e tjera të dorëzuar nga ai tek noterja V.S (e cila mban arkivin e Luiz Ejlli), pra nuk janë të falsifikuara por përmbajtja ndryshon, arrihet në përfundimin e pakontestueshëm që ky dokument i rremë në përmbajtja është krijuar në bashkëpunim midis Luiz Ejlli dhe shtetasit F.A me qëllim që ky i fundit ta përdorte për të justifikuar pasurinë e tij objekt procedimi penal.



