Pas përfundimit të hetimeve për vrasjen e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite dënim për autorin e dyshuar. Ndërsa Kodi Penal për të miturit në fuqi prej pak vitesh, kushtëzon se asnjë i mitur nuk mund të dënohet më shumë se 12 vite edhe pse kryen një vrasje.
Prokuroria e Tiranës kërkon nga gjykata të dënojë të miturin Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçit, me 25 vite burg për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”.
Gjatë seancës së 4 ditëve më parë, prokurorja Alma Felaj theksoi se vendimi përfundimtar i lihet gjykatës, duke kujtuar kufizimet që parashikon neni 97 i Kodit Penal për të miturit.
Sipas këtij neni, dënimi për autorin e dyshuar, i cili në momentin e ngjarjes ishte vetëm 14 vjeç, nuk mund të kalojë 12 vite burg.
Kjo do të thotë se, pavarësisht kërkesës fillestare të prokurorisë, gjykata mund të vendosë një dënim disa herë më të ulët nga maksimumi i pretenduar, duke e çuar atë në jo më shumë se 12 vite.
Ja se çfarë thotë neni 97 në kodin penal për të miturit:
1. Burgimi ndaj një të mituri mund të zbatohet në rast se ai ka kryer një vepër penale për të cilën minimumi i dënimit të parashikuar është 7 vjet dhe kur ky dënim është i nevojshëm për shkak të natyrës, rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së fajësisë.
2. Për të miturin dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikohet për veprën penale të kryer, por jo më shumë se 12 vjet.
Në seancën e ardhshme pritet që mbrojtja të paraqesë konkluzionet e saj, ndërsa do të dëgjohet edhe qëndrimi i palëve të dëmtuara. Ndërkohë, referuar vendngjarjes dhe ekzaminimeve spitalore rezultoi se gjatë përplasjes së dhunshme mes të miturve që përfundoi me një viktimë, u plagos edhe vetë i mituri që akuzohet si autor i ngjarjes.
Mario Përlleshaj mbahet prej nëntorit të vitit 2024 në institucionin e të miturve në Kavajë, ku ndodhet në masë sigurie arrest në burg.
Ngjarja ndodhi më 18 nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli”, vetëm pak metra larg ambienteve të saj.
Hetimet zbuluan se disa ditë para vrasjes, adoleshentët ishin përfshirë në një konflikt të mëparshëm.
Megjithatë, tensionet mes tyre kishin vijuar dhe konflikti u rikthye në momentin kur të miturit dolën nga shkolla, duke kulmuar në përleshjen fatale të 18 nëntorit 2024.



