
Konsiderata e Luljeta Bozos se regjimi komunist dhe Enver Hoxha kishte më shumë të mira se sa të këqija provokoi debat në opinionin publik. Pjesë e këtij debati u bë edhe profesori Fatos Tarifa. Mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, Tarifa tha se nxitja e tij në atë debat ishte për të treguar se jetojmë në një shoqëri ku gjithkush mund të thotë atë që mendon dhe sipas tij Bozo këtë bëri.
I pyetur se çfarë mendon ai lidhur me deklaratën e Bozos, Tarifa tha: “Unë nuk e kam lexuar shprehimisht fjalë për fjalë çfarë ka thënë. Unë di siç më tha ajo vetë që donte të vlerësonte disa nga arritjet e atij sistemi dhe kur është pyetur për ta vënë në balancë ajo ka thënë se ka më shumë të mira se sa të këqija. Kjo është një çështje e koklavitur”.
Pjesë nga intervista:
U provokuat nga ajo çfarë Bozo tha apo nga reagimet e të tjerëve?
Tarifa: Kur unë reagova nuk e kisha lexuar, por lexova një reagim të Jonila Godole e cila i kërkonte PS të mbante qëndrim, e panevojshme. Nxitja ime në atë debat ishte që të tregoja se ne jetojmë në një shoqëri ku gjithkush mund të thotë atë që mendon dhe Bozo këtë bëri.
Unë e njoh Bozon, ajo është anëtare e Akademisë së Shkencave që u bë person publik që prej tërmetit dhe prandaj është futur në listën e PS në Tiranë. Pasi ajo më ka kontraktuar pashë që ajo ishte e tronditur dhe e shqetësuar. Debati im me Godolen ishte si para viteve 90 kur njerëzit kishin frikë të flisnin për Ahmet Zogun.
Ju e miratoni qëndrimin e saj?
Tarifa: Unë nuk e kam lexuar shprehimisht fjalë për fjalë çfarë ka thënë. Unë di siç më tha ajo vetë që donte të vlerësonte disa nga arritjet e atij sistemi dhe kur është pyetur për ta vënë në balancë ajo ka thënë se ka më shumë të mira se sa të këqija. Kjo është një çështje e koklavitur. Shqiptarët janë të polarizuar dhe them që kudo që të ketë shqiptarë do të jenë të polarizuar njëlloj si brenda Shqipërisë kur vjen puna për të diskutuar për figurën e Enver Hoxhës. Teorikisht unë me këtë subjekt i kam larë hesapet.



