Në një letër dërguar presidentit serb, kreu i Shtëpisë së Bardhë thekson nevojën e njohjes reciproke për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Presidenti Biden i ka dërguar homologut Aleksandar Vuçiç një letër urimi me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë, më 15 shkurt.
Siç bëhet e ditur nga zyra e shtypit e Vuçiç, Biden shprehet në letër se “duke pasur parasysh 140 vitet e partneritetit midis dy vendeve, Shtetet e Bashkuara mbeten përgjithmonë të përkushtuara për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetit rajonal dhe vlerave demokratike”.
Biden mbështet Serbinë në rrugën drejt integrimit europian, ndërsa në mënyrë të veçantë e vë theksin te dialogu Prishtinë-Beograd.
Ai thekson mbështetjen e SHBA për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen reciproke.
Mbetemi të palëkundur në mbështetjen e Serbisë drejt integrimit europian dhe ju inkurajojmë të vijoni hapat për të arritur këtë objektiv, përfshirë realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e marrëveshjes së normalizimit me Kosovën, me fokus njohjen e ndërsjelltë.
“Fuqia e marrëdhënieve tona bazohet në historinë e thellë të lidhjeve midis popujve tanë të cilët luftuan si aleatë në të dy luftërat botërore dhe ne vlerësojmë shumë kontributin e madh që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftën kundër pandemisë Covid-19, ndërsa së bashku ne përballemi me këtë sfidë të paparë globale”, citojnë letrën mediat serbe.



