
Florjan Haçkaj, nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, thotë se shteti nuk është pronë e Edi Ramës dhe deklaratat se mungesa e databazës do të pamundësojë votën e diasporës dhe në zgjedhjet e ardhme e sheh si të papranueshme.
Nuk jetojmë në Ramastan, nuk është pronë e tij shteti. Ka vendime, ligje, deklarata e tij është qesharake, e papranueshme, tymnajë e panevojshme, kur ka kaluar afati i Kushtetueses dhe kemi shumë pak kohë.
Ka një mungesë dëshire për votën e diasporës. Unë si bashkëkryetar i Diasporës për Shqipërinë e Lirë, duhet të isha në komisionin e reformës zgjedhore.
Përveçse jemi pala fituese në Kushtetuese, jemi e vetmja organizatë që kemi dorëzuar një propozim në parlament, me firma të deputetëve në komisioni ne reformës zgjedhore dhe ja ku jemi sot, pa asnjë ftesë pa asnjë gjë.
Në një lidhje për MCN Live, Haçkaj deklaroi se baza e të dhënave të shqiptarëve që jetojnë jashtë është një gënjeshtër e madhe e kryeministrit.
Ai tha se në vitin 2017 ka marrë një email kërcënues në të cilin thuhet se po nuk e deklarove adresën, nuk do iu jepen shërbime në Shqipëri.
E para nuk dihet se ku do ruhen këto të dhëna. Baza e të dhënave nuk ka të bëjë me votën e emigrantëve, pasi nuk ka të bëjë vetëm me emigrantët që jetojnë jashtë, por edhe ata që janë përkohësisht jashtë për një studim.
Bëhet një kërkesë pranë KQZ ku hapet thirrja, dërgon kartën e identitetit, vjen letra, me zarfin brenda.
Ka mënyra sigurie, nga 155 shtete që e kanë, shumica kanë votë me postë.
Nëse Posta Shqiptare është post politik, mund të merren posta private.
Nuk ka asnjë lidhje baza e të dhënave të shqiptarëve që jetojnë jashtë me votën e diasporës.
Oficeri i diasporës, çfarë do bëj? Ky do bëj patronazhistin dhe do e paguajmë ne.
Një militante e PS, është përfaqësuese e diasporës në Zvicër. Kjo është problematikë e madhe.
Ka mungesë vullneti nga politika. Të gjitha këto janë në funksion për të treguar frikën që ka qeveria ndaj kësaj vote.
Nëse bëhen zgjedhjet pa votën e diasporës, kjo është antikushtetuese.
Kemi kërkuar që të ketë të njëjtën peshë vota e shqiptarëve dhe jemi kundër shtimit të një zone zgjedhore që përfaqëson diasporën.
Nuk mund të kanalizohet një masë si diaspora për 3-4 deputetë.
Modeli që kemi propozuar thotë që vota ime të shkojë atje ku unë kam qenë i regjistruar dhe kështu përhapet në mënyrë proporcionale dhe do të shkojë vota aty ku duhet të shkojë.
Dikush që do të votojë për zgjedhjet në Shqipëri, do të bëjë kërkesë.
Vota e emigrantëve do të sjellë edhe një frymë të re të politikbërjes në Shqipëri.
Kujtojmë se afati që Gjykata Kushtetuese i la Kuvendit një vit më parë për të plotësuar boshllëkun ligjor që pengon votimin e emigrantëve për zgjedhjet në Shqipëri, ka përfunduar.
Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, vendosi se i takon Kuvendit të mundësojë të drejtën kushtetuese të diasporës për të votuar.



