Kryeministri italian Giuseppe Conte ka deklaruar se Bashkimi Europian po rrezikon të dështojë si një projekt përballë krizës së krijuar nga koronavirusi.
Conte u shpreh se BE-ja duhet të veprojë drejt dhe në koordinim të plotë me qëllim për të ndihmuar vendet që janë goditur më shumë nga virusi.
Ai tha se Bashkimi Europian duhet të ngrihet mbi sfidën e asaj që ai e quan, “prova më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Kryeministri italian ndërsa po fliste për BBC, Italia dhe disa vende të tjera të BE-së po përpiqen të shtyjnë sa më shumë shtete të bllokut për të mbështetur kredinë e përbashkët, duke e ndarë borxhin me të gjitha vendet e BE-së.
Mirëpo kjo ide është kundërshtuar nga disa shtete, në mënyrë të veçantë nga Holanda, një qëndrim që krijoi përplasje mes ministrave të financave të eurozonës.
Conte deklaroi se krerët e Europës janë përballë një takimi historik dhe ata s’mund t’a humbin këtë mundësi.
“Nëse ne nuk e shfrytëzojmë mundësinë për të vënë në jetë një ide të re në projektin europian, rreziku i dështimit është real”, tha ai.
Shkalla e infeksionit në Itali po ngadalësohet, shifrat e fundit tregojnë se rastet pozitive rriten vetëm 1% krahasuar me një ditë më parë, ndërsa dy javë më parë rritja e të infektuarve ishte 7%.
Edhe numri i viktimave ka rënë, duke llogaritur 919 viktima dy javë më parë, ka shkuar në 542 persona të vdekur gjatë 24 orëve të fundit.
Megjithatë, kryeministri italian tha se Italia nuk do t’i zbusë ende masat e marra, duke deklaruar se bllokimi i vendit, i vendosur me 9 mars, do të lehtësohej dalëngadalë.
“Ne do të përcaktojmë disa sektorë të rëndësishëm për vendin, të cilët do mund të fillojnë përsëri aktivitetin e tyre ekonomik. Nëse specialistët e konfirmojnë gjendjen të stabilizuar, ne mund të fillojmë të zbusim disa masa deri në fund të këtij muaji”, tha ai.



