Deputeti socialist Etjen Xhafaj tha në edicionin e lajmeve në MCN Tv se arrestimi i Erion Veliajt ka ndikim në PS, dhe do të duhet të mbushet boshllëku i lënë bosh prej tij. Xhadaj tha që PS nuk merret me çështjet individuale me drejtësinë të zyrtarëve të mazhorancës, por kërkon që drejtësia të ndjekë standarde në proceset e saj.
I pyetur nëse e Veliajt kundrejt prokurorëve dhe gjyqtarëve përcaktojnë standardet e PS apo të tijat vetjake, Xhafaj tha:
“Qëndrimet tona në rrjetet sociale, janë tonat. Ne s’komentojmë çështje individuale. Ka prokurori, avokaturë mbrojtëse dhe gjykatë që vendos mbi një çështje. Për sa kohë ajo forcë politike që unë përfaqësoj kemi vendosur që mos kemi komente për çështje individuale, por të flasim për standarde dhe procedurë, do t’i qëndrojë asaj”.
I pyetur a mendoni se do të ketë ndikim arrestimi i Veliajt në fushatë, deputeti i PS tha:
“Ndikim te njerëzit që e kanë votuar në mënyrë të qartë, me mbi 60 mijë vota diferencë me kundërshtarin më të afërt, dhe ku të gjithë kundërshtarët s’i afrohen asaj shifre votash, sigurisht që ka, sepse është kontratë me qytetarët. Në lidhje me këtë do të duhet që gjithë ata që janë zëvendësit, të gjithë ata që janë drejtuesit në bashkinë e Tiranës, duhet ta ngrenë performancën e tyre.
Edhe në nivelin e rolit politik, patjetër që të gjithë ne që jemi pjesëmarrës në fushatë, duhet të përpiqemi maksimalisht këtë boshllëk të energjisë së tij, të punëve që janë bërë në Tiranë, dhe ai ishte personifikimi në 10 vite. Për t’u siguruar që s’kemi asnjë kompromis në objektivin final, që është integrimi, mbyllja e grup-kapitujve brenda 2027, dhe brenda 2030-ës përmbyllja e procesit”.
Duke folur në lidhje me qëndrimet e PS-së ndaj reformës në drejtësi dhe rastit Veliaj, Xhafaj tha:
“Nuk mendoj se në 5 vitet e para të kësaj reforme ka pasur qoftë me një kritikë minimaliste. Ne s’merremi me çështje individuale, por me parime, të drejtësisë europiane. I kemi dhënë kohën e saj reformës në drejtësi dhe institucioneve të drejtësisë për t’u ngritur në nivelin e detyrës që kanë. Kur kemi menduar që këto standarde janë rrezuar, patjetër këtë detyrë kemi.
Me rastin e Erionit, kemi patur rastin e parë kur një zyrtar që ka një kontratë publike arrestohet pa dalë më parë në gjyq. Në vendet e BE, 22-26 për qind në rastet më të këqija të të gjithë të burgosrurve janë në paraburgim, në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur se sa të dënuar me ligj, s’mund të vazhdojmë rrugën në BE me këtë diskordancë shifrash. Duhet të ketë një standard, ku masat s’janë gjithmonë më të rëndat.
Standardi duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Tani duhet parë si drejtësia europiane balancon mbrojtjen e të drejtave të njeriut, parimin e pafajësisë, deri në provën kur një person është i fajshëm, dhe këtij pastrimi jo vetëm të politikës, por edhe krimit, që duhet ta zhvillojnë të gjitha institucionet, duke nisur nga ato të prokurës”.
I pyetur a përjashtoni mundësinë e një bashkëqeverisje me opozitën me të ardhmen, Xhafaj tha:
“Nuk besoj se do kemi një rezultat të tillë. Por mbetemi të hapur ndaj ideve pozitive që na çojnë më afër BE-së dhe të rrisim mirëqenien e qytetarëve”.
Duke folur mbi kandidatët për deputetë Xhafaj u shpreh se kryeministri Rama mat mirë punën e tyre, dhe lista ka një përzierje mes të rinjve dhe atyre me eksperiencë politike, duke arritur të prek të gjithë demografinë e shoqërisë.



