Dogana e Kosovës ka reaguar në lidhje me anijen me mbetje toksike, që po hetohet nga Prokuroria e Durrësit. Në reagim thuhet se nga Kosova nuk janë eksportuar mbetje të rrezikshme.

Megjithatë, sipas njoftimit, është e vështirë të përcaktohet saktë çfarë ka ndodhur gjatë procesit.

“Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:

– Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media.

– Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës shton se koncentratet e zinkut janë të nxjerra nga miniera e Trepçës dhe janë eksportuar në vazhdimësi.

“Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siç i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça”, thuhet nga Dogana.

“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, shton dogana.