Katër raste të reja me koronavirus i janë shtuar sot bilancit të të prekurve. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat në mesditë, bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë shtuar katër raste të të prekurve nga epidemia, çka e çon numrin në 42.
Dy prej rasteve të reja janë mjekë të spitalit "Shefqet Ndroqi”, të cilët kanë pasur kontakt me një nga të infektuarit që ka qenë i shtruar në mjediset e këtij spitali.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mjekët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetizoluar.
Ndërkohë, në Spitalin Infektiv, tre prej të infektuarve të shtruar (17 në total) janë në terapi intensive. Pacientët në fjalë janë një 66-vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50-vjeçar nga Tirana.
Bilanci i të prekurve
Tiranë 26 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 5 raste
Rrogozhinë 2 raste
Ministria e Shëndetësisë bën thirrje që të gjithë ata që kanë hyrë së fundmi në Shqipëri, të vënë në dijeni stafin mjekësor në rast se paraqiten në spital.
Ju lutemi të gjithë qytetarëve që paraqiten në spitale dhe familjarëve të tyre. Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni udhëtuar jashtë vendit. Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni një familjar ose të afërt që ka udhëtuar jashtë vendit. Njoftoni nëse keni patur kontakt me persona që kanë udhëtuar apo kanë shenja të sëmundjes. MOS vizitoni të afërmit në spitale sepse shkaktoni rrezik edhe për personelin shëndetësor. Ju lutem bashkëpunoni me mjekët dhe me autoritete. SOT ËSHTË DETYRIM që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë: Shmangni vajtjet direkte në spitale.



