Ka nivele ekstreme të vuajtjes në të gjithë vendin dhe nevojat humanitare rriten nga dita në ditë, por përgjigja është e pamjaftueshme.
Kështu e përshkroi së fundmi Kristos Kristu, kreu i “Mjekëve pa Kufij” luftën në Sudan që shpërtheu një vit më parë.
“Kushtet janë të këqija nëpër kampet e refugjatëve. Nuk ka ujë të pijshëm, ushqime apo ndihma të tjera. Higjiena është inekzistente. Rreth një e treta e popullsisë së vendit, ose 18 milionë qytetarë, po përballen me urinë akute. Shumica e këtyre njerëzve banojnë në zona ku agjencitë e ndihmës kanë pak ose aspak akses”, thonë përfaqësues të OKB-së.
Luftimet në Sudan nisën në prill të vitit të shkuar, ndërsa dy grupe të mëdha ushtarake që përballen me njëri-tjetrin Forcat e Armatosura Sudaneze dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
“Një propozim vitin e kaluar për tranzicion demokratik të Sudanit përkeqësoi tensionet mes dy fraksioneve ushtarake. Po ashtu, disa aktorë të rëndësishëm civilë janë gjithashtu fajtorë. Ata kërkojnë të shtyjnë përpara agjendën e tyre me çdo kusht dhe u lidhën me grupet ushtarake për ta bërë këtë. Fatkeqësisht, të gjitha partitë politike po përpiqen të ruajnë pushtetin e tyre edhe me çmimin e luftës”, thotë gazetari sudanez Osman Mirgani.
Kriza e bukës në vend është alarmante, njoftojnë gjithë organizatat humanitare. Në shumë pjesë të Sudanit, fermerët vendas nuk mund të kultivojnë asgjë për shkak të luftimeve, ndërsa bandat zonale i vënë zjarrin depove të grurit në zonat që pushtojnë.
Për njohësit e rajonit, fundi i konfliktit nuk duket afër. Shkaku kryesor është se përditë e më shumë fraksione sudaneze po përfshihen në dhunë. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka paralajmëruar se lufta rrezikon "të shkaktojë krizën më të madhe të urisë në botë". Franca ndërkohë po kërkon kontribute nga komuniteti ndërkombëtar dhe vëmendje ndaj asaj që zyrtarët thonë se është një krizë e përjashtuar nga negociatat globale prej konflikteve në Ukrainë dhe Gaza.



