Mbetjet e lëngëta që dalin nga dekompozimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës përfundojnë në lumin Erzen, i cili përshkron kilometra tokë bujqësore në qarkun e Tiranës dhe Durrësit. Banorët e qarkut të Tiranës, por edhe ata të Durrësit paguajnë rreth 30 euro për ton mbetjesh që të kenë një qytet të pastër dhe trajtimin e mbetjeve përmes incenerimit. Por jo vetëm që nuk ka incenerim, por landfilli bëhet burim ndotje për shumë hektarë tokë bujqësore.

Ndotja është aq evidente saqë kapet edhe nga satelitët. Në hartën e gjeneruar nga Google dallohet qartë sesi ngjyra e ujit të lumit është më e çelët para se të shkojë në pjesën ku derdhen ujërat e inceneratorit të Tiranës. Konçesionari është kapur në këtë shkelje edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit e cila ka vendosur masë administrative gjobë ndaj subjektit.

MCN siguron vendimin e Gjykatës Administrative, e cila ka konfirmuar abuzimin e inceneratorit të Tiranës që nga viti 2022. Pasi ishte gjobitur koncesionari kishte ankimuar masën administrative në gjykatë me pretendimin se Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kishte kompetencë për të ndërmarrë një kontroll të tillë dhe për ta gjobitur. Sipas koncesionarit, këtë duhet ta bënte Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, në varësi të Bashkisë Tiranë. Por pasi gjykata mori në shqyrtim çështjen, konfirmoi shkeljen duke vendosur në favor të Agjencisë së Mbrojtjes së Territorit. Megjithatë kjo problematikë vijon ende.

Masa administrative për mosinstalimin e impjantit të trajtimit të lëngjeve që dalin nga dekompozimi i mbetjeve nuk është përplasja e vetme ligjore mes koncesionarit të inceneratorit të Tiranës dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Mes Ministrisë së Turizmit dhe koncesionarit ka patur edhe një betejë tjetër ligjore për lejen mjedisore për instalimin e një impianti që trajton mbetjet e rrezikshme jo toksike që krijohen nga djegia e plehrave. Paradoksalisht, kjo betejë ka ndodhur në një kohë që në Sharrë nuk ka një incenerator që të djegë mbetjet dhe Gjykata në këtë rast ka vendosur në favor të koncesionarit.

Gjatë vitit 2019, Ministria e Mjedisit kishte refuzuar që t'i jepte lejen mjedisore që i hapte rrugë koncesionarit ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme jo toksike. Praktikisht bëhej fjalë për impiantin që do të asgjësonte pluhurin që do të krijohej nga djegia e plehrave në incenerator. Pas një beteje administrative ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe koncesionait të inceneratorit të Tiranës, çështja përfundoi në Gjykatën Administrative. Kjo e fundit gjeti në shkelje në këtë rast Ministrinë e Turiznit dhe Mjedisit dhe Agjencinë në varësi të saj dhe i urdhëroi që të lëshonin lejen mjedisore për koncesionarin që të ndërtonte impiantin e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme jo toksike. Por pavarësisht këtij vendimi, koncesionari nuk ndërtoi kurrë deri më sot inceneratorin që të krijonte produkt për impiantin që u bë objekt gjykimi.