Persona ende të paidentifikuar i kanë vendosur eksploziv baneses së një 57-vjeçari në Vlorë. Sipas policisë, rreth orës 03:25, në banesën e shtetasit R.M., 57 vjeç, banues në Vlorë, persona të paidentifikuar ende, i kanë vendosur lëndë eksplozive (plasëse) kësaj banese.
“Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Lirimi” pranë rrugës “Demokracia”, ku dyshohet se pranë derës së kësaj banese (kati II) është vendosur një sasi e vogël lëndë shpërthyese”, thuhet në njoftim. Si pasojë e shpërthimit, kemi vetëm dëmtime të pjesshme të derës së banesës.
Në momentin e ndodhjes së ngjarjes, nuk ka patur njeri në banesë. Nga hetimet rezulton se “këtij objekti (lokal-banesë) i është vendosur eksploziv edhe disa ditë më parë, me pasoja të lehta materiale”, thote me tej policia. Aktualisht policia vijon veprimet hetimore në lidhje me zbardhjen e ngjarjes. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës.



