Zbulohen detaje të reja lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur mesditën e sotme në Tiranë, ku në Rrugën e Kavajës, një automjet tip Benz “G Class”, përplasi teksa kalonin në vijat e bardha, një çift bashkëshortësh dhe foshnjën e tyre 3 muajsh.
Burime për MCN Tv bëjnë të ditur se autori i dyshuar është 39-vjeçari Ajas Sulejmeni, i cili në gjendje paniku, braktisi mjetin me targa gjermane dhe u largua, për t’u ndaluar më tej nga policia.
Më konkretisht kapja e autorit të dyshuar, u bë në një nga spitalet private të kryeqytetit, për t’u shoqëruar në ambientet e komisariatit Nr.2, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Lidhur me ngjarjen policia e Tiranës tha se në Rrugën e Kavajës, një mjet me drejtues ende të paidentifikuar, ka përplasur shtetasit Vilma Konomi, 43 vjeçe, Arian Konimi, 48 vjeç dhe fëmijën e tyre të mitur 3 muajsh, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Drejtues i mjetit ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendi ngjarjes.
Sulejmeni është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2.
Pas kryerjes së testit të drogës, ka rezultuar se ai e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.



