Detaje tronditëse kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Sheq i Madh” në Fier, ku 29-vjeçari qëlloi me thikë bashkëshorten e tij. Sipas informacioneve, mësohet se viktima, 28-vjeçarja Irvana Hyka nënë e dy fëmijëve 6 dhe 4 vjeç, është goditur 31 herë me thikë në trup.
Ndërkohë, familjarët janë shprehur se viktima ishte edhe 6 javëshe shtatzënë. Autori vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa pas vrasjes ai e la armën e krimit në vendin e ngjarjes.

(Në foto: Autori, Demokrat Medinaj)
Ndërkohë, të afërmit e 28-vjeçares janë shprehur për MCN se familja Medinaj është shembullore, ndërsa nuk e dinë se çfarë ka ndodhur mes tyre. Ata e cilësojnë dhëndrin si një njeri të mirë dhe se bashkë, çifti nuk kishte asnjë konflikt.
“Nuk kanë patur probleme me njëri-tjetrin. Fëmijët do të shikohen më pas, varrimi do të bëhet në fshatin e saj, nga familja. Irvana është martuar me mblesëri dhe ngjarjen e kemi mësuar si aksident, e jo si vrasje”, është shprehur xhaxhai i viktimës, Zaqni Hyka. Nga ana tjetër, ata e kanë cilësuar 28-vjeçaren si person i mbyllur.



