Shqipëria po mban sot Konferencën e tretë Ndërqeveritare në Bruksel, ku po hapen zyrtarisht negociatat për klasterin 6 që lidhen me “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama, tha se "nën presidencën hungareze është përshpejtuar procesi i zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor".

“Themeli i negociatave filloi këtë vit nën presidencën hungareze. Janë hapur dy grup kapitujt dhe kjo shpejtësi është e paprecedente. Pra në 2 muaj është bërë më shumë se në 15 vjet. Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer për të 6 kapitujt që do jenë në këtë grup-kapituj si për marrëdhëniet me jashtë ashtu edhe për sigurinë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, kryeministri Edi Rama tha se shpresojmë ta bëjmë Shqipërinë “Europën e Ballkanit Perëndimor”.
“Është thelbësore për ne që duke mos harruar dhe pa nënvlerësuar parimin, në bazë të meritave, dhe ky parim për ne është shumë i rëndësishëm sepse do të na ndihmojë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, aq mirë sa të jetë e mundur, për hatrin tonë. Shpresojmë ta bëjmë Shqipërinë Europën e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të përkushtuar që të shikojmë me sytë e të ardhmes dhe jo me sytë e të shkuarës, që ka parandaluar vendin tonë dhe shumë vende në Ballkanin Perëndimor që të progresojnë sa duhet. Me bindjen që ne jemi në momentin më të mirë të historisë sonë, dhe Europa është në momentin më të mirë për të kuptuar se sa ne, vendet e B.Perëndimor janë të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Tashmë BE ka një zemër dhe ne e kemi dëshmuar këtë, nuk është aq e madhe, por është fakt që është aty dhe pulson dhe jeton”.



