Një tubim është mbajtur në Beograd, për t’u kërkuar autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë të zbardhin vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Tubimi u mbajt para Kishës së Shën Markut, me ftesë të Opozitës së Bashkuar të Serbisë, saktësisht njëmijë ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, udhëheqës i Nismës Qytetare Liria, Demokracia, Drejtësia, në Mitrovicën e Veriut. Njëmijë qirinj u ndezën në shesh në ditën e njëmijtë të vrasjes së tij.
Zoran Llutovac, kryetar i Partisë Demokratike opozitare në Serbi, tha se është përgjegjësi e qeverisë që t’i japë përgjigje pyetjes së kush e vrau Ivanoviçin.
“Kjo është një çështje e drejtësisë, një çështje e qëndrimit të shtetit ndaj atyre që qëllojnë në shtet. Sepse, të shtënat mbi Oliver Ivanoviçin janë të shtëna në mendjen e shëndoshë, në një politikë që përpiqej të kuptonte dhe përpiqej të bënte tolerancë", tha Llutovac.
Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Për krimin nuk ka ende asnjë të dënuar.



