
Të akuzuarit si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdarit, Izet Haxhiut, iu krijua mundësia që kërkesa e tij të shkojë në rigjykim. Gjykata e Apelit, pranoi sot kërkesën për rishqyrtim të vendimit për dënimin e tij dhe i jep të drejtën të dëgjohet.
Apeli ka vendosur të kthejë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, çka do të thotë fillim i procesit gjyqësor nga e para për Izet Haxhinë.
Avokati i tij, Bashkim Nikolla, deklaroi se në seancën e radhës do të paraqiten provat e reja për të provuar pafajësinë e tij lidhur me akuzat për vrasjen e Azem Hajdarit dhe se dëshmitari i parë do të jetë ish-kryeministri Sali Berisha.
"Më në fund, pas një kohë të gjatë vendoset një e drejtë procedurale në vendin e duhur. Gjykata në vendimin e sotëm, është në përputhje me konventën, që do të thotë se është e drejta e çdo të gjykuari të jetë në senacë. Ky është një vendim shumë i drejtë. Ky vendim e rikthen çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Hapet e drejta për t'u dëgjuar. Kemi siguruar të drejtën të dëgjohemi. Provat janë materiale, tabulate, dhe dëshmitarë. Me të gjitha këto, ne do të provojmë pafajësinë që i është faturuar të përfaqësuarit prej meje. Në krye të listës së dëshmitarëve që do të thirren është Sali Berisha", u shpreh avokati.
Më herët, i akuzuari Haxhia dhe avokati i tij, ripërsëritën kërkesën se duan të gjykohen nga gjyqtarë, të cilët kanë kaluar vetingun. Sipas kërkesës së tyre, rihapja e çështjes duhet të bëhet, meqë pretendohet se nuk janë dëgjuar në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit, dhe si i tillë vendimi është dhënë pa praninë e tyre.
Izet Haxhia është një nga fajtorët e shpallur nga gjykata si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, i cili është dënuar më 25 vite burg nga gjykata. Në 2006, Izet Haxhia u arrestua në Turqi, ndërsa në maj të vitit të kaluar, ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.



