
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë mbrëmjen e së enjtes Rexhep Ismaili në Sarandë.
Korrespondentja Ariola Hasanaj tha për “MCN Live” se zanafilla e konfliktit dyshohet të ketë qenë një çështje pronësie mes autorit të dyshuar, Lulzim Tabaku, dhe viktimës, Rexhep Ismaili.
Sherri, në të cilin mbeti i vrarë 66-vjeçari, ndodhi në lokalin e karburantit në pronësi të tij. Sipas informacioneve paraprake, njëra prej palëve ka shkuar në karburantin e vëllezërve “Ismaili” për t’u sqaruar lidhur me konfliktin.
Debati mes tyre ka degraduar në përplasje fizike dhe më pas situata është përshkallëzuar.
Burime paraprake bëjnë me dije se nga ana e personave që ndodheshin në lokal është nxjerrë një armë automatike, me dyshimin për të goditur personat që kishin mbërritur aty. Në ato momente, pala tjetër dyshohet se ka hapur zjarr me armë, duke shkaktuar vdekjen e Rexhep Ismaili.
Nga të dhënat e para dyshohet se edhe nga pala e autorëve ka persona të plagosur. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas burimeve, gjatë mbrëmjes në lokal kanë shkuar të paktën 10 persona, të cilët dyshohet se kanë pasur konflikt me një person që ndodhej aty dhe kanë tentuar ta rrëmbejnë. Dyshimet paraprake flasin për një konflikt pronësie.
Po sipas burimeve, Lulzim Tabaku dyshohet se ka nxjerrë i pari armën dhe ka qëlluar ndaj viktimës, i cili ishte edhe kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë. Më pas, një person tjetër në lokal ka hapur zjarr.
Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja bashkë me një të plagosur dhe aktualisht është në kërkim. Policia e Sarandë ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.



