Analisti dhe gazetari Mustafa Nano thotë se maxhoranca po vepron mbi bazën e logjikës “ky president është zgjidhur nga zinxhirët” në rastin e nismës për t’i kufizuar kompetencat presidentit Meta. Në një analizë në studion e TvT, Nano tha se sidoqoftë, presidenti është zgjedhur nga kjo maxhorancë.
“Kjo është alibia e maxhorancës. Ajo po vepron mbi bazën e “ky president është zgjidhur nga zinxhirët, kemi një president që ka dalë nga binarët”. Është një president që e ka zgjedhur kjo maxhorancë. Duhet të kërkonte falje. Ligje të tilla ad hominem nuk janë të këshillueshme. Por të çohet në Venecia mund të marrë maxhoranca një përgjigje që mund të mos i pëlqejë”, tha Nano.
Nano tha më tej se ligji po bëhet për Metën dhe nuk reflekton vizion të ri të maxhorancës.
“Ligje të tilla kërkojnë gjithmonë konsensus transversal, marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës. Institucioni i presidentit është institucion shtetëror. Ligji po bëhet për një president që quhet ilir Meta dhe jo për shkak të një vizioni të ri që mund të ketë maxhoranca”, tha ai.
Lidhur me ligjin për gjendjen civile, të cilin Meta e ktheu për rishqyrtim një ditë më parë, Nano tha se në rrethanën aktuale, shqetësimi i Metës qëndron.
“Të them të drejtën jam informuar vetëm mbi reagimin presidencial. Është hequr një nen dhe shqetësimi i Metës qëndron në këtë rrethanë. Sipas tij, ky ligj mbart një potencial që krijon kaos në një rrethanë parazgjedhore. Nuk thotë detaje më shumë”, tha ai.



