Rrëfimi i Artan Tafanit të autoritetet e drejtësisë në Elbasan ka zbardhur 6 vrasje, 7 krime dhe atentate. Krahu i djathtë i Laert Haxhiut ka zbuluar se ky i fundit kishte ndërtuar një biznes ndërkombëtar vrasjesh duke operuar në Shqipëri dhe vende të Bashkimit Europian.
Gazetari Xhevahir Zhabina tha në MCN se ajo që është zbuluar deri tani nga dëshmia e Tafanit mund të jetë vetëm një pjesë e aktivitetit të gjerë kriminal që ka ushtruar grupi.
Mënyra si i ka treguar ngjarjet të bën të mendosh se Haxhiu i ka porositur këto ngjarje. Jemi në fazën e hetimeve. Priten edhe të dhëna të tjera. Është një aksion që duhet përshëndetur.
Biznesmeni Çajup Selimi, motivi dyshohet të jetë një lidhje që ai kishte me një të afërme të një anëtari të bandës së Haxhiut. Albi Bashaliu është vrarë për gjakmarrje. Është vrarë për 50 mijë euro. I penduari i ka dëshmuar në prokurorinë e Elbasanit, e cila për hir të së vërtetës ka bërë të pendohen shumë njerëz të tillë.
Megjithatë sipas Zhabinës, ajo që mbetet edhe pa përgjigje janë emrat e porositësve të vrasjeve.
Po të shohësh vrasjet e zbardhura deri tani duket që janë hakmarrje mes tyre. Më çudit që në gjithë këtë histori mungon një gjë e rëndësishme. Kush janë porositësit. Ngjarjet e zbardhura kanë qenë hakmarrje e inate, por janë vetëm një pjesë e asaj që di drejtësia deri tani. Banda e Laert Haxhiut ka pasur aktivitet më të gjerë sesa kaq.



