Analisti Ben Andoni komentoi përmes një lidhjeje skype në MCN TV deklaratat e bëra sot nga Edi Rama, ku kryeministri pranoi se është i pafuqishëm përballë oligarkëve, pasi sipas tij ata blejnë drejtësinë.
Andoni thekson se Rama duhet ta kursente këtë dalje publike, duke vënë në dukje se dështimi është më së pari i administratës, agjencive dhe strukturave që lejojnë ndërtimet pa leje të oligarkëve.
Përpara se sa të kritikosh oligarkët duhet të shikosh institucionet e tua si kryeministër. Përpara se oligarku të bëjë ndërtime të tilla, ka disa struktura, si merret leja, sa i përmbahesh parametrave. Dështimi është i administratës, agjencive, strukturave të tua. Problemi i madh për ne është që është shumë e pamundur për kryeministrin që të administrojë shtetin. Përpara se të bësh dalje të tilla publike duhet të shohësh sa i aftë je me strukturat e tua. Mund të kursente këtë dalje publike sot, sepse njerëzit presin të kenë zgjidhje jo të kenë kritika. Është bërë zakonshme që zyrtarët tanë ia atashojnë drejtësisë problemeve, asnjëherë vetes. Më vjen keq që drejtësia akoma s’e ka fuqinë e duhur për t’u paraprirë situatave. Mendoj që reforma në drejtësi është një reformë gjysmake, por nuk mund të them akoma reformë e dështuar. Nëse do e themi këtë është dështim për gjithë shtetin shqiptar, jo vetëm për qeverinë. Akoma shqiptarët kanë shpresë që kjo drejtësi të thojë fjalën e vet për inceneratorët, akuzat për Berishën, administratën e Ramës, etj. Administrata para se të dëgjojë z.Rama duhet të kryejë funksionet e veta. Çdo institucion duhet të kryejë detyrat e veta. Gazetaria, me gjithë problematikën e madhe që ka, ka ndihmuar për shumë kazuze për të shkuar përpara. Nëse kaq shumë njerëz të pasur nuk e respektojnë ligjin është një problem që ngrihet mbi të gjitha partitë. Në këtë rast problemin më të madh e ka kryeministri. Drejtësia po bëhet me paratë e taksapaguesve të huaj dhe shqiptarë. Nëse këta njerëz të drejtësisë nuk e kuptojnë përgjegjësinë atëherë nuk di çfarë të them! Atëherë është një problem antropologjik me shqiptarët!”
I pyetur mbi rastin “Salillari”, Andoni tha:
E tillë është administrata e z.Rama. Z.Rama të na i kursente daljen publike dhe administrata të jepte përgjigjen për kundravajtjet e mëdha. Çdo oligark në kapitalizëm këtë do bëjë, çfarëdo hapësire të gjejë në shtet do ta shfrytëzojë për të maksimalizuar fitimet. Qeveria e ka lënë topin ose te drejtësia ose te oligarkët. Përgjegjësia është e administratës dhe z.Rama. Këto dalje janë të tepërta. Kryeministri duhet të flasë përmes akteve dhe mënyrës si funksionon shteti”.
Andoni thotë se dyshon të ketë ndjekje penale për oligarkët, pasi cilado parti të jetë në pushtet e gjen gjuhën me ta.
Dyshoj për arsyen e vetme, në çdo ndryshim pushteti, përsëri janë ata, përsëri e gjejnë gjuhën me pushtetin. Oligarkët në Shqipëri vetëm pasurohen dhe asgjë nuk ndryshon. Lidhjet i kanë të dyja partitë me të ashtuquajturit oligarkë. Në momentin që s’të funksionojnë institucionet, agjencitë, mendoj që çalon një gjë shumë e madhe te ne”.
Lidhur me hetimet për aferën e inceneratorëve, Andoni tha se shpreson që drejtësia të kuptojë përgjegjësinë që ka në këtë vend.
Mënyra si është proceduar me inceneratorët është një skandal që publiku shqiptar duhet të marrë përgjigje. Janë shpenzuar para pa asnjë sens. Uroj që drejtësia të shkojë me hapin që po presin shqiptarët, sepse nëse do vazhdoj kështu... Nga fati i drejtësisë po varet fati i PD, çështja e inceneratorëve, janë çështje të mëdha për të cilat drejtësia duhet të kuptojë përgjegjësinë që ka për zhvillimin e vendit”.
Teksa u ndal te çështja e financimeve ruse në PD, Andoni u shpreh:
Mendoj që çështja është vërtet e rëndë, por kam përshtypjen se shqetësimi më i madh në këtë vend është që skandali zë skandalin, gjëja më e shëmtuar është që relativizohet gjithçka. Akoma më e shëmtuar është si po fshihen te PD duke ia hedhur fajin Bashën. Janë disa situata ku një parti duhet të ketë kurajon që të vendos para përgjegjësisë të gjithë strukturën që ka qenë pjesë”.
Analisti tha se Shqipëria e të ardhmes është peng i një gjenerate politikanësh që po e zbrazin vendin, duke e lënë me një demokraci hibride.
Shqipëria e të ardhmes është peng e kësaj gjenerate politikanësh që po e lënë vendin me demokraci hibride dhe gati po e zbrazin Shqipërinë. Shqipëria e së nesërmes nuk ka lidhje me PS dhe PD. Kjo është tragjedia më e madhe e shqiptarëve, që akoma s’po kuptohet as nga opozita, që të ngrejë një narrativë tjetër për Shqipërinë e të ardhmes”.



