
Nga e hëna do të ndalohet përkohësisht qarkullimi i monopatinave elektrike në Shqipëri.
Shkak për këtë vendim janë shtimi i rasteve të aksidenteve që lidhen me përdorimin e monopatinave.
Masa e marrë u njoftua në një takim të Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrën biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojnë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kasa, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, tha ministrja Koçiu.
Ndërkaq kryeministri Rama ka paralajmëruar rregulla të reja për sigurinë publike.
“991 raste te raportuara nga urgjencat, janë më shumë se sa mjaft për ta ndalur menjëherë këtë risi të rrezikshme në qarkullimim rrugor të qyteteve tona, deri në hartimin e një rregulloreje strikte të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”, shprehet Rama.



