
Vaksinat ruse anti-Covid janë po aq të thjeshta dhe të besueshme sa edhe automatiku “Kallashnikov”, thotë Presidenti Vladimir Putin. Ndërsa në Rusi është regjistruar një version monodozë i vaksinës Sputnik V, Putin thotë se për efektivitetin e vaksinës ruse i referohet një prej ekspertëve europianë.
Me sa duket, Putin i referohet një deklarate të bërë nga kryetari i Shoqatës Austriake të Sëmundjeve Infektive dhe Mjekësisë Tropikale, profesor Florian Thalhammer, në shkurt.
Thalhammer, i cili është gjithashtu specialisti kryesor i sëmundjeve infektive në Universitetin Mjekësor të Vjenës, ka thënë para ca kohësh se Sputnik V është e thjeshtë, e besueshme dhe efektive si Kallashnikovi.
‘Sputnik Light’ është një version me një dozë i vaksinës së parë në botë kundër koronavirusit, Sputnik V, të cilën Rusia e regjistroi gushtin e kaluar. Vaksina bazohet në vektorë adenoviralë dhe është regjistruar në më shumë se 60 vende. Në shkurt, revista mjekësore Lancet publikoi të dhëna nga Instituti Gamaleya, i cili zhvilloi vaksinën, duke treguar se ishte 91.6% efektive.



