Shëngjini vijon të jetë pa energji elektrike që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke krijuar vështirësi për pushuesit dhe bizneset në kulmin e sezonit turistik.
Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë rreth orës 04:20 dhe deri më tani nuk është rikthyer, ndërsa mungesa e energjisë ka ndikuar në funksionimin normal të hoteleve, bareve, restoranteve dhe bizneseve të tjera që operojnë në zonë. Edhe pushuesit po përballen me shqetësime për shkak të ndërprerjes së zgjatur.
Banorët dhe operatorët turistikë kërkojnë rikthimin sa më të shpejtë të energjisë, duke theksuar se situata po ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin ekonomik dhe në mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Ndërkohë, sipas njoftimit të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërprerja është planifikuar në kuadër të një investimi për përmirësimin e rrjetit elektrik dhe rritjen e cilësisë së furnizimit.
Sipas operatorit, në datën 2 korrik 2026 po kryhen punime në nënstacionin e Lezhës, në linjën që furnizon zonën e Shëngjinit. Për garantimin e sigurisë gjatë punimeve është stakuar përkohësisht linja elektrike, ndërsa ndërprerja ishte parashikuar të zgjaste nga ora 05:00 deri në 08:00.
Operatori u ka kërkuar mirëkuptim abonentëve, duke theksuar se investimi synon rritjen e sigurisë, besueshmërisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, ndërsa për çdo informacion shtesë qytetarët mund të kontaktojnë kanalet zyrtare të institucionit.



