
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po mashtron studentët me të ashtuquajturin ‘Pakt për Universitetin’, duke thënë se nuk ka asnjë plan dhe vullnet për të realizuar kërkesat e studentëve. Kryedemokrati Basha i quajti këto cikërrima dhe mashtrime dhe propozimi se për të dalë nga kjo situatë janë dy pika, e para anulimi i ligjit të arsimit të lartë.
"Cikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli sot nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta të thella financiare me të cilat përballen studentët dhe familjet e tyre.Konviktet tha se do bëhen në fund të mandatit, normal se nuk është Unaza. Paketa është mashtrim i plotë dhe shenjë e çoroditjes totale. Anulimi i menjëhershëm dhe i plotë i ligjit korruptiv për arsimin e lartë. Kemi sot arsimin e lartë më të shtrenjtë në Europë, shqiptarët paguajnë më shumë para për arsimin e lartë se çdo vend tjetër europian dhe kanë cilësinë më të dobët në Europë, një nga cilësitë më të dobëta në botë", deklaroi Basha.
Basha propozon dyfishimin e buxhetit të arsimit të lartë që do të mundësojë uljen e shpenzimeve për familjet dhe investimet në infrastrukturë.
"Shtylla e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Edi Rama ka folur sot 45 minuta dhe ka thënë lloj-lloj gjërash, por nuk thotë se buxheti i arsimt të lartë është rritur me 2 milionë Dollarë. Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Do të thotë 74 milionë Dollarë më shumë që do shpenzohen në dy drejtime. Së pari, për të subvencionuar tarifat e studentëve. Ndërsa pjesa tjetër e parave do të investohen në infrastrukturën konviktore. Studentët të mos paguajnë as tarifën e bachelor, as tarifën e master nëse vinë nga familje me ta ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Për familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj përgjysmim i tarifave në bachelor dhe master", tha Basha.
Paratë për ti bërë këto sipas Bashës janë në buxhet, por problemi është se qeveria mendon për të vjedhur së bashku me oligarkët e saj.
Sipas kryedemokratit detyra jonë është tu tregojmë shqiptarët se si vidhen paratë, por edhe rrugën që vjedhja të ndalë dhe taksat e shqiptarëve të shkojë aty ku ka nevojë më shumë vendi. Hapi i parë është largimi një orë e më parë i kësaj bande.



