
Kreut të opozitës ruse Alexei Navalny i është refuzuar ankesa nga Gjykata Supreme e Rusisë që t’i lejohet kandidatura për zgjedhjet presidenciale në muajin mars, ka njoftuar dje kjo gjykatë.
Rival i përbetuar dhe për një kohë të gjatë i presidentit të Rusisë, Vlaidmir Putin, Navalny, që është edhe aktivist kundër korrupsionit, me këtë ankesë e ka shfrytëzuar mundësinë e apelit brenda sistemit të drejtësisë në Rusi.
“Më 22 janar, gjyqtari ka vendosur kundër dërgimit të apelit në dëgjim juridik”, i tha dje gjykata agjencisë së lajmeve Interfax.
Navalny nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje, pasi më parë ishte gjykuar për krime financiare, për të cilat ai ishte dënuar me kusht.
Alexsei Navalny thotë se rasti kundër tij ishte i fabrikur për ta ndëshkuar atë për aktivitetin e tij opozitar dhe për ta mbajtur larg zgjedhjeve.
Ai ka ftuar për bojkotim të zgjedhjeve dhe mbështetësit e tij planifikojnë protesta në gjithë vendin gjatë ditës së nesërme.
Ndërkohë Rusia po përgatitet për protestat mbarëkombëtare të së dielës, Navalny, i cili është ndaluar që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të 18 marsit, tha se Putin ka frikë nga opozita.



