Kjo fundjavë, ashtu si e kaluara do të kalojë në izolim total. Nga ora 13:00 e ditës së sotme (e shtunë 28 mars), dhe deri të hënën në orën 05.00 të gjithë do të qëndrojnë në shtëpi dhe të gjithë qepenat do të jenë mbyllur.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama njoftoi dje se nga e hëna askush nuk del dot më në pazar, pa marrë lejen digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes. Ai prezantoi dje aplikacionin online që do të mundësojë marrjen e lejes digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes.
“Leja është automatike në rast se bëhet përmes e-albania nëse keni një smartphone apo kompjuter. Në rast se nuk i keni këto, leja do të kërkohet me SMS dhe nuk është automatike, por do të merret pas 24 orësh. Tirana dhe në qendrat urbane do të jetë e vetmja mënyrë për të lëvizur pa marrë gjobë dhe pa humbur edhe makinën në rast se e disponojnë një makinë, se i tillë është dhe ligji. Kush ecën në këmbë jashtë orarit dhe pa leje brenda orarit gjobitet dhe i konfiskohet makina,” – u shpreh Kryeministri gjatë një komunikimi online me drejtoren e AKSH-it, Mirlinda Karcanaj, e cila shpjegoi edhe procedurën e marrjes së lejes.
Sipas Znj. Karcanaj, është një procedurë e thjeshtë në pak minuta.
Kryeministri theksoi se pensionistët nuk do të pajisen me leje. “Pensionistët nuk do të mund të aplikojnë në këtë sistem, sepse përgjigja do të jetë negative. Pensionistët duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe për ata pensionistë që janë të vetmuar dhe nuk i kanë fëmijët në të njëjtën qendër banimi urbane apo njësi administrative do të kujdesimi ne, siç po kujdesemi pa pushim. Do të kujdesimi me ekipet tona në territor, të cilët do t’u bëjnë pazaret, do t’u çojnë ilaçet dhe do të bëjnë për ta, atë që kanë nevojë. Pensionistët nuk do të dalin më në rrugë,” – nënvizoi Kryeministri.
Për sa i përket anëtarit të familjes që vazhdon punën, ai do të lëvizë me autorizimin që aktualisht disponon.
Kryeministri Rama informoi se i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë Tiranë që deri nesër të mundësojë ndarjen e të gjitha tezgave në tregjet e lagjeve, në mënyrë që të mos jenë të gjithë të grumbulluar në një pikë. Ky ndryshim, theksoi Kryeministri, nga nesër do të fillojë të jetë i ndjeshëm në tregjet e lagjeve nga dita e hënë, të gjitha tregjet do të jenë të tilla. E njëjta masë u është kërkuar të merret të gjithë kryetarëve të bashkive në territor.
Një model të ngjashëm ndoqi edhe Kina përgjatë epidemisë, ku vetëm një anëtar i familjes lejohej për të bërë pazar një herë në tre ditë.
Aktualisht në Shqipëri janë 186 persona të infektuar, prej tyre 8 kanë humbur jetën dhe 31 janë shëruar.
77 pacientë ndodhen në spitalin infektiv, 5 janë në terapi intensive./TVT.al/



