Kreu i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri, ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Kasharit. Një ditë pas akuzave të kreut të LSI-së, Meta, i cili në një intervistë foli për lidhje të trafikut të drogës me ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri u shpreh se është e domosdoshme që më 25 qershor, çdo votë të shkojë për PS-në dhe jo për partiçkat që blejnë votat e më pas me to qëndrojnë në pushtet për të rrjepur njerëzit.
“Ne e kishim shumë më kollaj të shkonim në këto zgjedhje me koalicion. Ne kemi dalë vetëm në këto zgjedhje. Po konkurrojmë vetëm në këto zgjedhje, sepse ne besojmë që në këto zgjedhje aleatët e Partisë Socialiste nuk duhet të jenë partitë apo partiçkat. Aleatët e vetëm të Partisë Socialiste në këto zgjedhje duhet të jenë njerëzit, duhet të jeni ju. Ne duam të fitojmë bashkë me ju”, tha Tahiri.



