
Arian Mavriqi, fotografi profesionist i cili me aparatin e tij dokumenton botën e egër të shpendëve dhe kafshëve në Kosovë e Shqipëri.
Për shikuesit e programit të mëngjesit në “Zgjohu me MCN”, Ariani foli gjerësisht për ndjesinë e fotografimit në masë të madhe të florës dhe faunës shqiptare.
Duke ditur se fotografia e botës së egër kërkon një angazhim të veçantë krahasuar me fotografimin e njerëzve.
Ne organizojmë çdo gjë, ne duhet të njohim lokacionet e tyre, vendin, komunikojmë me orientolog nga Shqipëria që të na jap informacione të sakta dhe kafshët se kur i kanë foletë, lokacionet se kur ti gjemë, në çfarë kohe.
Pra, informacioni ynë nuk duhet të mungojë sepse mund të shkaktojmë dëme të parikuperueshme. Ne si fotograf duhet të dimë limitet tona se deri ku duhet të shkojmë se mund të shkaktojmë dëme.
Psh, në kohën e foljezimit të pelikanit kaçurrel, ne lagunë, ne e kemi të limituar më distancë se deri ku duhet të shkojmë, ti nuk mund të vendosësh kamerën kurth te disa lloje të shqiponjës sepse ai nuk kthehet më kurrë në fole dhe të vegjlit ngordhin.
Në kohën kur ne i mësojmë këto nga profesionistët që na japin informacion për kohën e shtegtimit, foljezimit, e dimë më kohë shtegtimet e tyre, kohën se kur kalojnë në qiellin shqiptar, nga marsi deri në shtator mund të gjejmë lejlekun e zi, të bardhë, ose të shqiponjave, skifterëve, dimë orën dhe orën se kur vijnë në foletë e tyre. Pra duhet çdo gjë më organizim se ndryshe nuk ka rezultat.
Fotografi i botës së egër thotë se përtej fotografisë, misoni i tij është edhe promovimi i llojllojshmërisë së specieve në vend si dhe ngritja e njohurive për to.
Unë mundohem të dokumentoj praninë e kafshëve në vend, sepse ne duhet të dimë se nuk jetojmë dot pa to. Është obligim i yni ti lemë rehat në habitatin e tyre, pra duhet të dimë limitet tona, jo të bëjmë çdo gjë për të fotografuar.
Besomëni, që shumica e shqiptarëve nuk kanë fare ide për ekzistencën e disa shpendëve në trojet shqiptare. Kam të dokumentuar 200 specie të ndryshme në fotografi. Dy herë në muaj shkoj në lagunat shqiptare, të Nartës, Karavastasë, në liqenin e Shkodrës, javën tjetër do të shkojmë në Pukë për të dokumentuar rrëqebullin ballkanik. Pra të gjitha këto mundohem ti regjistroj dhe ti informoj njerëzit.



