
Tharja është një nga mënyrat më të vjetra për të ruajtur ushqimet. I bën të qëndrojnë më gjatë dhe i mban të sigurta për t’u ngrënë.
Në aspektin ushqyes, ushqimi mbetet kryesisht i njëjtë, megjithëse procesi i tharjes mund të shkatërrojë vitaminat A dhe C. Numri i kalorive mund të rritet ndërsa ushqimi tkurret dhe lëndët ushqyese bëhen më të përqendruara.
Rrush i thatë: është i pasur me antioksidantë, të cilët ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave. Ai është gjithashtu një burim i mirë i fibrave, hekurit dhe kaliumit. Gjatë procesit të tharjes rrushi humbet ujin dhe tkurret, kështu që sheqeri dhe kaloritë që mbeten janë më të përqendruara.
Kajsitë e thata: janë më të larta në shumicën e lëndëve ushqyese sesa kajsitë e freskëta. Një racion prej 5-6 kajsish të thata ka katër herë më shumë fibra sesa kajsitë e freskëta. Fibrat ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe disa llojeve të kancerit. Kajsitë e thata gjithashtu kanë më shumë kalium, hekur dhe kalcium. Gjithsesi gjatë procesit të tharjes ato humbasin pjesën më të madhe të vitaminës A dhe C.
Kumbulla të thata: Me përjashtim të disa vitaminave, shumica e ushqyesve janë më të mirë te kumbullat e thata sesa kumbullat e freskëta. Ato janë të pasura me kalium, hekur, fibra dhe vitaminë K, si dhe antioksidantë. Ashtu si frutat e tjera të thata, ato kanë shumë kalori dhe sheqer. Kumbullat e thata gjithashtu lehtësojnë kapsllëkun.
Manaferrat e thata: janë shpesh më të pasura në lëndë ushqyese si fibra, hekur dhe kalium sesa ato të freskëta. Gjatë procesit të tharjes kur humbasin ujin, sheqeri dhe kaloritë shtohen.



