Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala nënshkruan të enjten një memorandum bashkëpunimi për dixhitalizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Dixhitalizimi do të përfshijë të gjithë dokumentet në letër (libra, dorëshkrime, gazeta, revista, manualë, doracakë etj.), të cilat janë pjesë e kulturës dhe e dijes në Kosovë, të sistemuara në sirtarët, përkatësisht në arkivat e Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Sipas njoftimit për shtyp, materialet e dixhitalizuara do të jenë të qasshme për të interesuarit nga të gjitha fushat, ndërsa palët detyrohen që gjatë zbatimit, realizimit të këtij memorandumi t’i respektojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të përafërta sipas ligjit në Republikën e Kosovës.
Në bazë të këtij memorandumi, planifikohet që të bëhet dixhitalizimi i: librave; gazetave dhe revistave; dorëshkrimeve; manualeve, fletëve dhe teksteve të programeve shkollore, të cilat MASHT i konsideron si të domosdoshme për dixhitalizim. Procesi i dixhitalizimit do të kryhet nga një ekip me përvojë i BKK-së, apo i personave profesionalë të kontraktuar nga BKK.
Sipas memorandumit, Ministria e Arsimit do të kontribuojë me mjete financiare në vlerë prej rreth 40 mijë euro, ndërsa projektin do ta mbështesë edhe MKRS dhe BKUK, e cila njëherësh do të bëjë trajnimin e stafit për dixhitalizim dhe përgatitje për qasje nga publiku.



