Gentjan Tufa, anëtar i Bordit Kombëtar Studentor, thotë se problemet që i shqetësojnë studentët janë shumë, ndërsa përgjigjet nga Ministria e Arsimit janë zero. Në MCN Economy, Tufa tha se kërkesat që u janë drejtuar institucioneve si Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë asnjë përgjigje. Sipas Tufës, aboneja e studentit është thjesht propagandë.
Peticioni i fundit ishte peticionin me 6600 firma për të kërkuar marrjen e masave për hapjen e 4 mensave për studentët. E kemi dorëzuar në dhjetor kërkesën dhe akoma nuk kemi marrë përgjigje. Ka një heshtje varri. Punonjësit e bashkisë nuk dinë asgjë. Nuk është çudi që vijnë deklarata të tilla, tani që afrojnë dhe zgjedhjet. Asnjë student nuk duhet të bjerë pre e këtyre karremave. Aboneja e studentit mbulon vetëm 20%të numrit total të studentëve. Për 80% nuk ka abone në qarkullim. Nuk kemi një mbështetje përsa i përket transportit publik. Nuk ka konvikte të reja dhe të restauruara.
Për shkak të mungesës së mbështetjes dhe të ardhurave të pamjaftueshme, studentët janë të detyruar të punojnë. Tufa tha se nevoja i kthen ata në punëmarrës që u shkelen të drejtat.
Studentët janë të detyruar të punojnë ose të braktisin shkollën. Punojnë në call center, recepsionistë në hotele, kamarierë. Janë të keqpaguar dhe të shfrytëzuar. Plus që informaliteti bën punën e vet. Ne nuk kemi të përcaktuar minimumin jetik. Punëdhënësi nuk respekton pagën minimale.
Një nga shqetësimet që kanë ngritur ditët e fundit studentët është vonesa e pagesës së bursave.
Studentët janë të braktisur. Studentëve akoma nuk u është dhënë bursa. Përgjigjja janë kleçkat procedurale. Është premtuar që do të jepet, do të përshpejtohen procedurat.
Tufa tha se mbyllja e degëve të studimit në universitetet e vendit tregon zhgënjimin e studentëve.
Shumica e studentëve që largohen nga vendi kanë treguar që ia dalin atje shumë më mirë, madje shumë prej tyre që kthehen në Shqipëri e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Ndërkohë e kanë shumë të lehtë të gjejnë punë në vendet e BE-së.



