Presidenti Ilir Meta ka bojkotuar ceremoninë e 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, organizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama, në Pallatin e Brigadave.
Meta ka zgjedhur të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga shoqata “Tirana Intellectum” në bashkëpunim me shoqatën “Bashkësia Dibrane” në Teatrin Kombëtar.
"Dua të uroj nga zemra të gjithë Shqiptarët kudo që janë. Gëzuar 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet. Koha tregoi se vendimi historik i Kongresit të Lushnjës për Tiranën kryeqytet, ka qenë një nga vendimet më të mençura dhe vendimtare për shtetformimin tonë. Gjej rastin të përkulem me nderim të thellë, për të gjithë atdhetarët e asaj kohe, për të gjithë këshillin bashkiak të asaj kohe. Shpreh bindjen se Tirana ia ka dalë të jetë epiqendra e jetës politike, ekonomike, shoqërore dhe sportive e të gjithë vendit", u shpreh Meta.
Kujtojmë se në ceremoninë e 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, që u zhvillua në Pallatin e Brigadave, ishin ambasadorja Yuri Kim, Luigi Soreca dhe diplomatë të ndryshëm, ish-presidentë të Republikës së Shqipërisë dhe figura të tjera zyrtare.



