
Pavarësisht marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, Shqipëria asnjëherë nuk kanë ndërmarrë masa për t’ua bërë më të lehtë aksesin në tregun e saj produkteve kosovare. Prodhuesit e Kosovës thonë se ndryshe nga sa përcaktohet në marrëveshjet dypalëshe për unifikimin doganor, Shqipëria nuk i ka lehtësuar barrierat doganore.
Bizneset e Kosovës thonë se pas Serbisë, Shqipëria është vendi i dytë që u ka vendosur barriera tregtare për produktet e tyre. Ata thonë se gjatë sezonit të verës, në shenjë proteste do të mbyllin kufirin për një ditë.
“Qoftë te prokurimet publike, investimet e drejtpërdrejta, qoftë te eksporti i mallrave tona drejt Shqipërisë, te çfarëdo partneriteti që është tentuar të ndërtohet nga kompanitë e Kosovës në tregun e Shqipërisë, vazhdimisht ka pasur barriera të ndryshme: tarifore, jotarifore deri te cenimi i investimeve”, ka thënë Astrit Panxha, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Shqipëria e ka rritur eksportin e mallrave në Kosovë në 20 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por, prodhuesit kosovarë kanë arritur të eksportojnë vetëm 1 milion euro më tepër produkte të tyre në tregun shqiptar, raporton KTV.
Prodhuesit vendorë në Kosovë e shohin këtë si një provë që tregon se politikanët në anën tjetër të kufirit nuk kanë ndërmarrë masa për t’ua bërë më të lehtë aksesin në tregun e Shqipërisë produkteve kosovare.



