Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë paraditen e sotme në Vrakë të Malësisë së Madhe, ku dinamika e ngjarjes dhe arsyet mbeten ende të paqarta.
Burime policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:45, në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku dyshohet se shtetasi Lul Rakaj, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore ku raportohet se janë në kujdesin e mjekive.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje bashkë me grupin hetimor dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore për kapjen e autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe vijojnë kontrollin e zonës dhe në ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.



