Fermeri Franc Kastrioti nga Lushnja, shpreh shqetësim për mbështetjen që i’u jepet fermerëve nga qeveria.
Duke folur për MCN TV, ai i bëri thirrje ministres së Bujqësisë, që skemat e subvencioneve të jenë të drejtpërdrejta dhe jo qesharake.
“Pikat e grumbullimit të qumështit janë kthyer në monopol në këtë moment, duke qenë se ne jemi të faturuar shesim pak më lartë se pjesa tjetër e fermerëve, nuk arrijnë të bëjnë dot faturë, çmimi për ta shitet 60 lekë për litër. Duhet të merren masa që çmimi i qumështit të rregullohet. Jemi në kushtet e mbijetesës”, u shpreh fermeri.
Sipas tij, tregu është i pandershëm ashtu si dhe konkurrenca dhe se për këtë duhet të ndërhyjë shteti.
Fermeri tha se premtimet janë të mëdha, por se nuk është punuar nga ana e shtetit për plotësimin e kërkesave.
“Kërkojmë subvencionim të drejtpërdrejtë për hektarë, për kultura të mbjella, të grurit më vete, të perimeve më vete. Ne po i blejmë plehrat kimike me çmimet më të shtrenjta për momentin. Fabrikat e grurit nxjerrin një çmim gjithmonë të njëjtë, prej 20 vitesh. Këtu gjithçka është kthyer në monopol si nga fabrika dhe nga importuesit e plehrave kimike. Pa ferma dhe pa prodhim nuk ka jetë”, deklaroi Kastrioti.



