Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mesditën e sotme në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.
Në zonën e plazhit, mbas tunelit në afërsi të vilave qeveritare për shkak të një konflikti momenti për parkimin e një makine, një person ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe ka shtënë në ajër.
Lidhur me ngjarjen policia tha zyrtarisht se rreth orës 12:00, në afërsi të tunelit në “Uji të Ftohtë”, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se një shtetas, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Nga verifikimet e bëra nga shërbimet e policisë, nuk ka persona të dëmtuar.
Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit i cili është identifikuar nga Policia menjëherë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.



